Mijëra protestues kalojnë natën para Kryeministrisë, rrethimi vazhdon
Edhe pse akrepat e orës kanë kaluar 03:00 të mëngjesit, protesta para Kryeministrisë nuk është shpërndarë. Mijëra qytetarë vijojnë të qëndrojnë përreth godinës së qeverisë, duke e mbajtur atë të rrethuar pas një dite që shënoi protestën më të madhe të zhvilluar deri tani gjatë 21 ditëve të mobilizimit qytetar.
Atmosfera në bulevard mbetet e gjallë edhe në orët e para të mëngjesit. Flamujt kombëtarë vazhdojnë të valëviten, ndërsa grupe protestuesish këndojnë himnin kombëtar, brohorasin parulla dhe qëndrojnë të vendosur për të mos u larguar. Shumë prej tyre kanë vendosur ta kalojnë natën në ambientet përreth Kryeministrisë, duke deklaruar se prania e tyre do të vazhdojë edhe gjatë orëve të ardhshme.
Organizatorët e protestës kanë bërë të ditur se qëndrimi gjatë natës është një shenjë e vendosmërisë së pjesëmarrësve për të vazhduar lëvizjen qytetare. Sipas tyre, mobilizimi i kësaj dite ka shënuar pjesëmarrjen më të madhe që nga nisja e protestave dhe përfaqëson një moment të rëndësishëm në vijimësinë e revoltës.
Ndërkohë, përgjatë gjithë mbrëmjes dhe deri në orët e para të mëngjesit, atmosfera është dokumentuar nga dhjetëra fotografë dhe qytetarë, duke sjellë pamje që pasqyrojnë përmasat e tubimit dhe momentet më domethënëse të protestës.
Më poshtë gjeni një album fotografik me disa nga momentet më pikante të ditës së 21-të të protestës, të fiksuara gjatë marshimit, tubimit dhe orëve të natës përpara Kryeministrisë.