Protestë e re e diasporës shqiptare në Michigan kundër sistemit politik në Shqipëri
Tubimi do të mbahet këtë të diel në Shelby Township, organizatorët bëjnë thirrje për pjesëmarrje
Diaspora shqiptare në shtetin e Michiganit do të zhvillojë këtë të diel, më 21 qershor, një tjetër protestë kundër sistemit politik në Shqipëri. Tubimi është njoftuar të mbahet në orën 16:00 përpara godinës së District Court në Shelby Township, në adresën 52420 Van Dyke Ave, Shelby Township, MI 48316.
Sipas njoftimit të publikuar nga organizatorët në rrjetet sociale, protesta synon të shprehë pakënaqësinë ndaj asaj që ata e cilësojnë si “sistemi i kalbur që ka kapur vendin”. Në materialin promovues të protestës përdoren simbole të zinxhirëve të këputur dhe flamuri kombëtar shqiptar, si mesazh për ndryshim dhe liri.
Në postimin shoqërues të organizatorit Teddy Mene thuhet se prioritet mbetet komuniteti shqiptar në Michigan, fëmijët dhe familjet e tyre, por njëkohësisht edhe mbështetja për Shqipërinë përballë, sipas tij, kërcënimeve që i kanosen vendit. Ai u bën thirrje bashkatdhetarëve të marrin pjesë në tubim.
Kjo është një tjetër nismë proteste e organizuar nga pjesëtarë të diasporës shqiptare në Michigan, e cila vjen në një kohë kur prej javësh edhe në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme kundër qeverisë dhe sistemit politik. Organizatorët shprehen se synojnë të sensibilizojnë opinionin publik dhe të tregojnë solidaritet me qytetarët që protestojnë në Shqipëri.
Tubimi pritet të nisë në orën 16:00 dhe, sipas njoftimit, është i hapur për të gjithë qytetarët që dëshirojnë të marrin pjesë.
