Sunday, 21 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaHeqja e flamurit nga godina e Ambasadës së Izraelit, Koçiu: Akt i papranueshëm

Heqja e flamurit nga godina e Ambasadës së Izraelit, Koçiu: Akt i papranueshëm

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka reaguar pas heqjes së flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë nga protestuesit, duke e cilësuar atë një akt të papranueshëm që cenon normat e respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Reagimi i plotë

Heqja e flamurit izraelit nga godina e Ambasadës së Izraelit në Tiranë është një akt i papranueshëm provokimi, që cenon normat themelore të respektit ndaj përfaqësive diplomatike dhe bie ndesh me frymën e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Ky nuk është thjesht një sulm ndaj një simboli shtetëror. Çdo akt që synon të shënjestrojë identitetin e një populli, të delegjitimojë praninë e tij ose të nxisë armiqësi mbi baza etnike apo fetare, krijon terren për intolerancë dhe antisemitizëm, fenomene që Europa i njeh nga kapitujt më të errët të historisë së saj dhe që nuk mund të kenë vend në shoqëritë demokratike.

Shqipëria është një vend mikpritës, një partner i besueshëm, pa asnjë tolerancë ndaj antisemitizmit apo gjuhës së urrejtjes. Ky akt i turpshëm dhe i izoluar bie ndesh me traditën tonë të gjatë të harmonisë, respektit dhe mbrojtjes së tjetrit, parime këto që kanë karakterizuar popullin shqiptar përgjatë historisë.

Shprehim solidaritetin tonë të plotë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe rikonfirmojmë angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe promovimin e vlerave europiane të tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës.

Lini një koment