Sunday, 21 June 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaSonte përfundon Panairi i librit, botuesit flasin për interesimin dhe sfidat e tregut

Sonte përfundon Panairi i librit, botuesit flasin për interesimin dhe sfidat e tregut

Me interesim të konsiderueshëm nga lexues të moshave të ndryshme sonte përfundon edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë, i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunën e Prishtinës dhe Pallatin e Rinisë.

Në ditën e fundit të panairit, përfaqësues të shtëpive botuese dhe vizitorë ndanë përshtypjet e tyre për titujt më të kërkuar, interesimin e lexuesve dhe sfidat, me të cilat po përballet tregu i librit.

Redaktorja e shtëpisë botuese “Albas”, Vesa Avdiu, tha se interesim ka pasur si për librat për fëmijë, ashtu edhe për ata për të rritur.

“Librat që shiten më së shumti ka edhe për fëmijë, po edhe për të rritur ka që shiten. Momentalisht ne e kemi librin “Unë jam Majlinda Kelmendi”, i cili është për fëmijë, por që mund të lexohet edhe nga të rriturit, i cili bëri bujë në panair, pasi ishte libri i parë i serisë “Unë jam”. Edhe seria është e re, edhe libri ishte i ri në këtë rast. Ndërsa, ka edhe libra të tjerë që shiten. Është seria e Petro Markos, e cila shitet shumë. Pastaj e kemi edhe librin “Imoralisti”, i cili edhe ai ka pasur një pëlqyeshmëri në këtë panair. Ndërsa edhe librat për fëmijë, ka shitje, për ata që janë më të vegjël, edhe tek klasikët, edhe seria “Një familje e paparë”, u shpreh Avdiu.

Ndërkaq, Alfred Beka nga shtëpia botuese “Jakup Ceraja” tha se sivjet interesimi më i madh ka qenë për librat historikë dhe biografikë.

“Janë marrë kryesisht libra nga fusha e letërsisë, kemi edhe nga fusha e historisë, filozofisë. Sivjet më shumë janë shitur këto nga fusha e historisë, për shembull, biografi ose që përshkruajnë historinë e shqiptarëve. Është ky libri më i ri që na ka ardhur i gjeneralit Rrahim Ademi, “Vetëm e vërteta”, përshkruan luftën në Kroaci, betejat, strategjitë që i ka bërë. Pastaj kemi “Golgota shqiptare”, “Luftërat ballkanike”, e kemi librin “Serbia dhe Shqipëria” nga Dimitrije Tucoviq, edhe ai është libër që sapo ka dalë nga shtypi. Kemi librin rreth jetës së Ana Frankut, vrasësit e saj në kampin e Aushvicit. Pastaj kemi nga fusha e letërsisë, për shembull, autorë të ndryshëm amerikanë si Francis Scott Fitzgerald, libri me “Tregime të Epokës së Xhazit”, kemi Giovanni Boccaccio, kemi autorë të ndryshëm, përkthime kryesisht. Shumica e librave tanë janë autorë të huaj që i përkthejmë”, tha Beka.

Sipas tij, çmimet kanë qenë nga 5 deri në 15 euro. Ai shtoi se blerësit më të shpeshtë kanë qenë personat e grupmoshës 40 deri në 50 vjeç.

Ndryshe nga botuesit e tjerë, bashkëthemeluesja e shtëpisë botuese “Alb-med”, Mirushe Emini, u shpreh e zhgënjyer me ecurinë e panairit, duke e cilësuar atë si më të dobëtin ndër vite për shtëpinë e saj botuese.

“Panairi zakonisht nuk është i dedikuar për shitje, edhe pse te ne kryesisht është festë e librit edhe ashtu është dashur të jetë, po është edhe një mundësi që njerëzit po njihen me librat. Fatkeqësisht, ky panair për ne ka qenë panairi më i dobët nga 26 panaire që marr pjesë rregullisht. Nuk e di, çmimet i kemi ulur më shumë se çdo herë tjetër, por sigurisht gjendja ekonomike e popullatës është e dobët, ose edhe ikja, ikja e njerëzve që është shumë e madhe në këto vitet e fundit e ka bërë të veten. Ndoshta edhe duhet të edukohen lexuesit tanë që të kujdesen më tepër për shëndetin, sepse e shoh që kryesisht për edukimin shëndetësor më pak kanë interesim. Ndërsa kemi 9 tituj të edukimit shëndetësor, po nuk nuk ka shumë interesim”, tha Emini.

Panairi u vizitua edhe nga shumë lexues të rregullt. Njëri prej tyre, Mehmeti nga Peja, tha se kishte blerë tetë deri në nëntë libra, kryesisht nga fusha e psikologjisë dhe filozofisë.

“I shoh të kënaqshme, po prapëseprapë, libri është i shtrenjtë, po meqenëse edhe këta kanë kosto të botimit, të përkthimit e të shtypjes, besoj që është real… Zakonisht në këtë panair ka pasur tituj të rinj. Po, shërbimet janë të kënaqshme, librat janë, cilësia e librit është e mirë. Faktikisht kam shpresë edhe një porosi për të gjithë gjeneratat e reja: ikni mediave sociale, afrohuni te libri”, tha ai.

Edhe lexuesi Musa Tollari tha se e ka vizituar panairin pothuajse çdo ditë dhe ka blerë libra nga fusha të ndryshme.

“Unë çdo ditë pothuajse e kam vizituar. Kam blerë unë në fillim disa libra, edhe ditën e dytë, të tretë, edhe sot para mbylljes kam ardhur. Besoj që marr ndonjë libër, ose letërsi ose filozofi, psikologji e të tjera… secili duhet me ditë edhe të rriturit, edhe fëmijët, edhe të moshuarit që të vijnë, sidomos gjatë panairit, ta vizitojnë, t’i plotësojnë dëshirat me ata libra, për të cilët kanë nevojë, edhe për t’i lexuar, po edhe për ta kënaqur shpirtin”, u shpreh Tollari.

Edicioni i 26-të i Panairit të Librit mbylli dyert pas disa ditësh aktivitetesh, promovimesh dhe takimesh mes botuesve, autorëve dhe lexuesve, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e këtij organizimi si ngjarja më e madhe e librit në vend.

Lini një koment