“Sot s’kam shitur asgjë, puna ka rënë për toke”, ankesa të shitësve në Tregun e Prishtinës
Tregtarët në Tregun e Automjeteve në Prishtinë edhe këtë të diele nxorën për shitje produkte të ndryshme, përfshirë edhe ato ushqimore, por edhe mjete të punës, pjesë teknike, veshmbathje etj.
Tregtarët shprehën ankesa se po kanë pak shitje e pak fitim.
Njëri prej tyre, Naim Hoxha tha për KosovaPress se edhe pse çmimet janë të volitshme, për shkak të pranisë së madhe të marketeve, po bëhet më e vështirë shitja e produkteve.
“Përpara ka qenë më e mirë shitja, përpara ka qenë më lirë. Përpara, po të kishim pasur këtë mall, përpara po t’i kishe pasur këto vegla, secili njeri që kishte ardhur kishte me i marrë. E tash, malli rri, ndoshta një muaj ditë s’mundesh me e shit një send të tillë. Përpara ka qenë më mirë, tash ka më shumë markete e sende”, tha Hoxha.
Njësoj u shpreh edhe tregtari, Shukri Gashi, i cili tha se çmimet janë të ulëta, por prapëseprapë s’po ka shitje.
“Çmimet kanë rënë për toke…U zbeh puna, u ra për toke. Prej se i kanë dhënë vizat, më s’ka, se të gjithë po udhëtojnë, të gjithë në aeroplan po rrinë. Shko hajde, u bë… lëmsh. Këtu s’blen kush, veç nja tre-katër… S’ka kush, lojë… fare s’ka. Paratë po shkojnë… pensionet e vogla, rrogat e vogla… S’ka asgjë. Të gjithë të rinjtë këqyrin të ikin jashtë shtetit”, tha Gashi.
E, Ilaz Kastrati ishte një nga tregtarët që s’kishte shitur ende asgjë. Kujtoi kohën e paraluftës që kanë pasur para, por jo edhe mall, ndërsa tani po ndodh e kundërta.
“Nganjëherë kemi pasur para boll, para luftës po mendoj. E mall hiç. Tash kemi mall sa të duash, para hiç. S’kemi punuar mirë. Gjithë ditën kam ndejtur, sot s’kam shitur asgjë”, tha Kastrati.
Këto pakënaqësi dhe ankesa, tregtarët në kryeqytet, ç’është e vërteta i kanë tash e sa kohë.