Sunday, 21 June 2026
54°F Detroit
BallinaSeria AInter-Nico Paz, ëndrra e merkatos është një enigmë 60 milionë euroshe. Gjithçka varet nga “Oaktree”

Inter-Nico Paz, ëndrra e merkatos është një enigmë 60 milionë euroshe. Gjithçka varet nga “Oaktree”

Nico Paz prej kohësh është në listën e lojtarëve të pëlqyer nga Interi. Një skenar që, në fund të majit, zemëroi trajnerin e Comos, Cesc Fàbregas, i cili deklaroi: “Ose do të rikthehet te Real Madridi, ose sezonin e ardhshëm do të luajë te Como”, përpara se të sulmonte edhe Javier Zanettin. Megjithatë, edhe tani tekniku katalanas nuk ka arsye për të buzëqeshur, pasi zhvillimet nga Spanja kanë detyruar Comon të rishikojë planet për talentin argjentinas.

Deri më 30 qershor, e ardhmja e Nico Paz mbetet pezull mes Madridit dhe Comos. Real Madridi ka vendosur të aktivizojë klauzolën e riblerjes prej 10 milionë eurosh, por dëshira e lojtarit është të qëndrojë edhe një sezon te Como për të luajtur në Ligën e Kampioneve. Megjithatë, Florentino Pérez ka qenë i prerë: ose Como paguan 60 milionë euro për kartonin e tij, me një të drejtë kundër-riblerjeje për Realin prej 80 milionë eurosh, ose lojtari do të mbetet në Madrid.

Shuma është pothuajse e papërballueshme për Comon, pavarësisht fuqisë financiare të pronarëve indonezianë, për shkak të kufizimeve të “fair play financiar” të UEFA-s, pas kualifikimit historik në Champions League. Gjithsesi, drejtuesit e dy klubeve pritet të zhvillojnë kontakte në ditët në vijim për të gjetur një zgjidhje.

A mund të përfitojë Interi nga kjo situatë? Marrëdhënia e ngushtë mes Javier Zanetti dhe familjes “Paz” është një avantazh, por aspekti ekonomik mbetet pengesa kryesore. Zikaltrit janë pranë një investimi prej rreth 50 milionë eurosh për Palestra (nga Atalanta), që do të ishte transferimi i tretë më i shtrenjtë në historinë e klubit, pas Romelu Lukakut dhe Nicolò Barella.

Për të tentuar Nico Paz, Interit do t’i nevojitej fillimisht të realizonte disa shitje, jo vetëm të lojtarëve që pritet të largohen si Davide Frattesi, Benjamin Pavard dhe Kristjan Asllani, por edhe të futbollistëve në balotazh, si Aleksandar Stanković, apo madje elementëve të rëndësishëm si Carlos Augusto ose Ange-Yoan Bonny. Po aq i domosdoshëm do të ishte edhe miratimi i fondit Oaktree, i cili duhet të autorizojë tejkalimin e buxhetit të parashikuar për skuadrën, nëse e konsideron transferimin një investim me ndikim të madh sportiv dhe mediatik.

Lini një koment