Monday, 22 June 2026
54°F Detroit
BallinaKosovaMbi 6 mijë hektarë tokë bujqësore mbetën djerrë në Kosovë gjatë vitit 2025

Mbi 6 mijë hektarë tokë bujqësore mbetën djerrë në Kosovë gjatë vitit 2025

Edhe pse sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë u rrit me 510.9 hektarë gjatë vitit 2025, të dhënat e Anketës së Ekonomive Bujqësore tregojnë se 6,104 hektarë tokë vazhdojnë të mbeten djerrë.

Sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore në Kosovë ka shënuar një rritje minimale gjatë vitit 2025, ndërsa mbi 6 mijë hektarë tokë vazhdojnë të mbeten djerrë.

Të dhënat e Anketës së Ekonomive Bujqësore (AEB) tregojnë se sipërfaqja e përgjithshme është rritur për vetëm 510.90 hektarë ose 0.1 për qind krahasuar me vitin 2024.

Sipas statistikave, sipërfaqja e përgjithshme e shfrytëzuar e tokës bujqësore ka arritur në 420,739.57 hektarë në vitin 2025, nga 420,228.67 hektarë sa ishte një vit më herët.

Pjesën më të madhe të tokës bujqësore vazhdojnë ta zënë livadhet dhe kullosat, duke përfshirë edhe tokën e përbashkët. Kjo kategori është rritur nga 216,534.33 hektarë në vitin 2024 në 216,697.39 hektarë në vitin 2025, një rritje që sipas raportit lidhet me shtimin e fondit blegtoral.

“Gjatë vitit 2025, gjithsej toka e punueshme, arat, ishte 189 131,22 ha, pjesa më e madhe ishte me: drithëra (128 190,63ha, ose 67,8%); bimë foragjere (36 446,35ha, ose 19,3%); perime 9 841,44 ha në fushë të hapur, në serra dhe kopshte (prej të cilave perime në fushë të hapur dhe serra ishin 8 946,37ha, ose 4,7%); patate (3 375,16ha, ose 1,8%); bishtajore (2 257,45ose 1,2%); bimë industriale ( 1 254,60ha, ose 0,7%); kultura të tjera (2 556,27ha, ose 1,4%) dhe tokë djerrë ishte 6 104,38 ha ose 3,2%”, thuhet në raport.

Edhe toka e punueshme, arat ka shënuar rritje të lehtë. Nga 188,795 hektarë në vitin 2024, ajo ka arritur në 189,131.22 hektarë në vitin 2025, duke përbërë rreth 45 për qind të gjithë sipërfaqes së shfrytëzuar bujqësore.

Ndërkohë, jo të gjitha kategoritë kanë shënuar rritje. Kopshtet janë zvogëluar nga 912.75 hektarë në 895.07 hektarë, ndërsa edhe plantacionet e vreshtave kanë rënë nga 3,405.54 hektarë në 3,343.21 hektarë.

Në anën tjetër, plantacionet e pemëve kanë shënuar një rritje të lehtë, duke kaluar nga 10,408.21 hektarë në 10,481.08 hektarë, ndërsa fidanishtet janë rritur nga 172.86 hektarë në 191.61 hektarë.

Sa i përket strukturës së tokës së punueshme, gjatë vitit 2025 gjithsej 189,131.22 hektarë ishin të mbjella me kultura të ndryshme. Pjesën më të madhe e zënë drithërat me 128,190.63 hektarë ose 67.8 për qind, të ndjekura nga bimët foragjere me 36,446.35 hektarë ose 19.3 për qind.

Perimet janë kultivuar në 9,841.44 hektarë, ku 8,946.37 hektarë janë në fushë të hapur dhe në serra. Patatet janë mbjellë në 3,375.16 hektarë, bishtajoret në 2,257.45 hektarë, ndërsa bimët industriale në 1,254.60 hektarë.

Megjithatë, raporti evidenton se 6,104.38 hektarë, ose 3.2 për qind e tokës së punueshme, kanë mbetur djerrë edhe gjatë vitit 2025.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë gjithashtu se 34,240.28 hektarë janë ujitur të paktën një herë gjatë periudhës referuese të anketës, ndërsa 123,045.50 hektarë janë trajtuar me pesticide.

Edhe sektori i blegtorisë ka shënuar rritje të lehtë. Numri i gjedheve është rritur nga 240,848 në vitin 2024 në 241,423 në vitin 2025, ndërsa numri i deleve ka kaluar nga 209,947 në 211,178.

“Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se blegtoria në Kosovë, gjatë vitit 2025, sa i përket numrit të gjedheve ishte 241 423, ku krahasuar me vitin paraprak 2024 (që ishte 240 848), ka një rritje të lehtë.  Sa i përket numrit të deleve gjatë vitit 2025 ishte 211 178, ku krahasuar me vitin paraprak 2024 (që ishte 209 947), vërehet një rritje e lehtë”.

Lini një koment