Rama reagon ndaj komentit të hoxhës për protestuesin: Shqiptarët s’mund të lejojnë që këta të mizave të instaluara në vesh, t’i nxisin kundër njëri-tjetrit
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një komenti të bërë nga hoxha Musta Tërmiqi lidhur me një protestues, duke thënë se “personi nuk përfaqëson protestën dhe nuk mund të flasë në emër të saj”.
Rama iu drejtua hoxhës duke vënë në dyshim rolin e tij në protestë, duke thënë se një hoxhë “nuk mund të luaj kukamçefthi e të bëj punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve”.
Më herët, gjatë protestës, protestuesi ndaj të cilit ka reaguar hoxha, kishte thënë se “ka grupe të infiltruara që heqin perden e priftit apo të hoxhës apo të imamit dhe bashkohen atje me megafona”.
Rama thekson se shqiptarët nuk duhet të bien pre e çdo përpjekjeje për t’i vënë kundër njëri-tjetrit, ndërsa shton se çdo përpjekje për të nxitur përçarje mes qytetarëve duhet të refuzohet, pavarësisht se nga kush vjen.
“Ah, pra unë e paskam ditur diçka kur ia tregova shqiptarëve këtë “hero” të flamingove. Po pyetja ime tani është, po ti o hoxhë për llogari të kujt je futur në protestë se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen?¿ Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën”, shkruan Rama.
Rama thotë se nuk do të merrej me qytetarë që, sipas tij, nuk kanë asnjë qëllim nxitës, por shton se shqiptarët duhet të ndalojnë çdo përpjekjeje për të nxitur përplasje.
“Askush të mos dyshojë se do t’ia lejoja vetes të merresha kështu me këdo protestues që s’ka mizë në vesh kur flet, se po t’ia lejoja s’do respektoja rolin dhe detyrën time ndaj shqiptarëve. Po shqiptarët, në daç në punë, në daç në protestë e në daç në kafe, s’mund të lejojnë që këta të mizave instaluara në vesh, t’i nxisin keq e më keq kundër njëri-tjetrit”, ka shkruar Rama në reagimin e tij.