Erlis Shima i përgjigjet Edi Ramës: “Unë nuk jam ti”
Pas postimit të gjatë të Kryeministrit Edi Rama, i cili komentoi fotografinë e të riut Erlis Shima të ulur i vetëm në shkallët e Kryeministrisë dhe e ftoi simbolikisht “të vinte tek ai”, ka ardhur edhe reagimi i vetë protagonistit të fotografisë.
Me një postim të shkurtër, por me tone të forta, Erlis Shima refuzon krahasimin që Rama bën mes vetes dhe tij, duke theksuar se përgjegjësitë për gjendjen e vendit i përkasin atij që ka qeverisur për vite me radhë. Në reagimin e tij, Shima rendit një sërë problemesh që, sipas tij, kanë detyruar mijëra të rinj të largohen nga Shqipëria dhe shpjegon se pjesëmarrja e tij në protestë është një zgjedhje e ndërgjegjshme, jo pasojë e manipulimit.
Më poshtë, postimi i plotë i Erlis Shimës:
Përgjigje e detyruar për Edi Ramën!
UNË NUK JAM TI!
Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.
Unë nuk jam ti.
Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.
Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.
Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.
Ti je.
Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.
Ti nuk je viktima e halleve të mia.
Ti je autori i tyre.
Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.
Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.
Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.
Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.
Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.
Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.
Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.
Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.
Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.
Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.
Sepse paguajnë faturat.
Sepse kërkojnë punë.
Sepse presin në spitale.
Sepse shohin fëmijët të largohen.
Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.
Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.
Po i përçmon.
Fotografia ime në murin tënd më bën pis.
Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.
Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.
Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.
Unë nuk jam ti.
Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.
Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.