Rama poston foton e protestuesit: Hoxha nuk duhet të bëjë punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin e tij social “Facebook” teksa ka publikuar një foto të një protestuesi. Rama ka ngritur pyetjen se në llogari të kujt një hoxhë është futur në protestë teksa shtoi se ai e ka vendin në xhami e të drejtojë lutje.
Ai shkruan hoxha duhet të predikojë të vërtetën dhe të mos fshehë dijen. Sipas tij hoxha nuk duhet të bëjë punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve.
“Ah, pra unë e paskam ditur diçka kur ia tregova shqiptarëve këtë “hero” të flamingove. Po pyetja ime tani është, po ti o hoxhë për llogari të kujt je futur në protestë se vendi yt është në xhami dhe për ty që duhet të drejtosh lutjet, Kurani thotë se mbi kurrizin tënd rëndon një përgjegjësi e madhe, për të paqtuar shpirtrat, për të predikuar të vërtetën dhe për të mos e fshehur dijen?¿
Pra shkurt llafi, të mos luash kukamçefthi hoxhë, e të mos bësh punën e shejtanit duke futur xixa mes shqiptarëve, se nuk ia ka borxh askujt ky vend ndezjen e zjarreve të dasive fetare, as mesveti, as me botën.
Askush të mos dyshojë se do t’ia lejoja vetes të merresha kështu me këdo protestues që s’ka mizë në vesh kur flet, se po t’ia lejoja s’do respektoja rolin dhe detyrën time ndaj shqiptarëve. Po shqiptarët, në daç në punë, në daç në protestë e në daç në kafe, s’mund të lejojnë që këta të mizave instaluara në vesh, t’i nxisin keq e më keq kundër njëri-tjetrit…”, shkruan Rama.