Nënshkruhet Memorandumi-Rama: Me Eni-n S.p.A krijojmë operatorin e ri kombëtar për rezervat strategjike të naftës
Kryeministri Edi Rama deklaroi se partneriteti strategjik me kompaninë italiane Eni shënon një hap të rëndësishëm për krijimin e një operatori modern kombëtar në fushën e hidrokarbureve, i cili do të garantojë rezervat strategjike të naftës dhe do të luajë rol rregullues në treg.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Eni S.p.A. për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, Rama theksoi se ky bashkëpunim vjen si përgjigje ndaj nevojave për siguri energjetike dhe zhvillim ekonomik.
“Kohë më parë, në fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik, i cili të bëjë në një farë mënyre edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorët”, tha Rama.
Ai shtoi se kriza e fundit energjetike tregoi rëndësinë e rezervave strategjike, duke theksuar se me ligjin e ri të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë krijohet një kuadër i plotë ligjor për këtë çështje.
Duke folur për marrëdhëniet me Italinë dhe Eni-n, kryeministri Rama nënvizoi: “Ne iu qasëm Enit… duke pasur parasysh këtë raport të afërt bashkëpunimi me Enin që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por që njëkohësisht është edhe një potencë e madhe e cila ka prezencën e vet në Shqipëri që prej vitit 2019”.
Sipas tij, operatori i ri do të marrë përsipër garantimin e rezervës strategjike të naftës, duke e çliruar Shqipërinë nga çdo dilemë në rast krizash.
“Përmes këtij partneriteti Shqipëria nuk do të ketë më asnjë dilemë për çfarëdo krize që vjen përpara në aspektin e rezervës strategjike”, deklaroi Rama.
Kryeministri vlerësoi lart eksperiencën e Eni-t dhe administratorit të deleguar Claudio Descalzi, duke e quajtur kompaninë një model të ri jo vetëm për tregun kombëtar, por edhe rajonal. Ai shtoi se kompania e re do të jetë aktive edhe në tregtinë ndërkombëtare të naftës.
“Jemi sot shumë të inkurajuar edhe shumë mirënjohës për gatishmërinë e treguar nga një gjigant global siç është Eni për të bashkëpunuar dhe për të krijuar këtë startup… në fushën e hidrokarbureve së bashku me ne”, u shpreh Rama.
Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, si dhe drejtori ekzekutiv i Eni SPA, Claudio Descalzi.