Kultivuan kanabis në Vaun e Dejës, në pranga vëlla e motër. Procedohet kryeplaku dhe një vrojtues pyjesh (VIDEO)
Dy persona janë vënë në pranga nga policia në Vaun e Dejës. Mësohet se të arrestuarit janë vëlla e motër. Ata janë identifikuar si Agetina Pepaj dhe Pal Pepaj dhe akuzohen për kultivim të 308 bimëve narkotike në fshatin Kroni i Madh.
Policia njofton se gjatë operacionit u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa. Bimët më tej bëhet me dije se u asgjësuan nëpërmjet djegies. Një pjese tjetër u sekuestrua si provë materiale.
Policia thekson se ka proceduar edhe dy persona përkatësisht kryeplakun e fshatit dhe vrojtuesin e pyjeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
“Vau i Dejës/ Finalizohet operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike. Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëlla e motër), të dyshuar si autorë të kultivimit të një numri të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh.
Procedohen në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kroni i Madh dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Monitorimi”.
Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh, u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe (vëlla e motër), banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.