Berisha për kërkesat e protestuesve: Dakord me kufizimin e mandatit të kryeministrit, kundër qeverisë tranzitore me short
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar kërkesat e paraqitura nga protestuesit gjatë demonstratës së zhvilluar dy ditë më parë, duke shprehur mbështetje për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate, por jo për idenë e një qeverie tranzitore të zgjedhur me short.
Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se Partia Demokratike është plotësisht dakord me propozimin për kufizimin e mandateve të kryeministrit dhe është e gatshme ta votojë atë në Parlament.
“Kërkohet kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë. Pse? Sepse u bë e qartë se Edi Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Nuk lejon. Për këtë jo se e themi ne, tashmë e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri, ta përcaktojë kushtetuta, ta largojë kushtetuta”, tha Berisha.
Sa i përket propozimit për një qeveri tranzitore, Berisha u shpreh në favor të një qeverie jo partiake të përbërë nga ekspertë dhe figura të njohura, por theksoi se ajo duhet të krijohet dhe të marrë votëbesimin përmes procedurave kushtetuese.
Sipas tij, një qeveri e tillë duhet të votohet në Parlament dhe të ketë mandat për të organizuar zgjedhjet, ndërsa hodhi poshtë çdo ide që, sipas tij, del jashtë rendit kushtetues.
“Qeveri jo partiake tranzitore, po. Jo me short. Të votohet në parlament. Unë jashtë Kushtetutës nuk dal dot. Ajo duhet të marrë votëbesimin dhe të çojë vendin në zgjedhje”, deklaroi Berisha.
Berisha tha se nuk njeh asnjë mekanizëm tjetër për krijimin e një qeverie tranzitore përveç atij të parashikuar nga Kushtetuta dhe votimit në Parlament.
“Kuptoj kërkesën për një qeveri jo partiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, të cilën mbi bazën e një marrëveshjeje të forcave politike në parlament, do marrë votëbesimin e plotë. Unë këtë mekanizëm di. Unë nuk di mekanizëm tjetër të instalimit të një qeverie brenda rendit kushtetues”, tha Berisha.