Wednesday, 24 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“E drejta për t’u shprehur është vlerë kushtetuese”, vjen reagimi i parë i Begajt për protestat në Tiranë

“E drejta për t’u shprehur është vlerë kushtetuese”, vjen reagimi i parë i Begajt për protestat në Tiranë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta.

Gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, duke iu referuar situatës aktuale në kryeqytet, Begaj tha se aktiviteti përkon me një moment kur qytetarët po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore.

“Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore.
Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit  kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në  pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin  kombëtar dhe  atë publik. Korniza kushtetuese,  së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe  demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë. Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit”,- tha Begaj.

Lini një koment