Fitoret e kandidatëve të mbështetur nga Mamdani i japin goditje kampit pro-Izraelit në SHBA
Gjatë dy viteve të fundit, protestuesit pro-Palestinezë në Universitetin Columbia janë përballur me masa të rrepta sigurie, sanksione akademike, sulme nga politikanë të të dyja partive kryesore dhe një fushatë dëbimi.
Tani, pjesë të mëdha të kampusit të kësaj shkolle në Nju Jork ka të ngjarë të përfaqësohen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara nga një aktiviste që ndihmoi në organizimin e protestave kundër luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza.
Kur Darializa Avila Chevalier, e mbuluar me një kefije (shall tradicional), shpalli për herë të parë kandidaturën e saj në nëntor të vitit të kaluar, pak njerëz jashtë rrethit të saj të ngushtë e njihnin emrin e saj.
Por mesazhi i saj ishte i qartë: ajo u prezantua si një organizatore që punon për të bashkuar familjet e ndara nga sistemi i imigracionit dhe kundër “asaj që të gjithë e dimë se është një gjenocid në Palestinë”.
Të martën, Avila Chevalier – e cila mbështetej nga Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani – fitoi garën për të zëvendësuar kongresmenin veteran Adriano Espaillat, duke siguruar nominimin demokrat në një nga përmbysjet më të mëdha të këtij cikli zgjedhor.
Fitorja e Avila Chevalier dhe e kandidatëve të tjerë të mbështetur nga kryebashkiaku socialist demokrat tregon rënien e popullaritetit të politikës pro-izraelite në rrethet demokrate, thonë mbështetësit.
“Mbrëmja e deshme ishte një tërmet politik në Nju Jork dhe establishmenti demokrat është vënë në paralajmërim,” tha Beth Miller, drejtoreshë politike në grupin e avokimit Jewish Voice for Peace (JVP) Action (Zëri Çifut për Paqe).
“Ajo që kemi treguar është se mbështetja e pakompromis për lirinë e Palestinës nuk është vetëm qëndrim moral, por është rruga drejt fitores për kandidatët progresistë.”
Tri fitore në zgjedhjet parësore
Dy kandidatë të tjerë të mbështetur nga Mamdani gjithashtu triumfuan në garat për Kongresin e SHBA-së të martën.
Brad Lander, një ish-kontrollor i qytetit i cili kundërshton ndihmën ushtarake për Izraelin, mposhti deputetin aktual fortësisht pro-izraelit, Dan Goldman. Claire Valdez, një ligjvënëse shtetërore socialiste demokrate, fitoi nominimin për një ulëse të hapur.
Të dy fituesit e nominimeve garojnë në zona të sigurta demokrate dhe pritet të fitojnë komoditet në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.
Në nivel lokal, votuesit zgjodhën gjithashtu disa kritikë të zëshëm të Izraelit, duke përfshirë Aber Kawas, e cila është në rrugë të mbarë për t’u bërë senatorja e parë shtetërore palestineze e Nju Jorkut.
“Ajo që po shohim është një transformim i vërtetë në atë që është e pranueshme dhe e dëshirueshme në politikën amerikane,” tha Heba Gowayed, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut (CUNY).
Gowayed tha për Al Jazeera se rezultatet e së martës – veçanërisht fitorja e Avila Chevalier kundër një kandidati aktual me lidhje të forta – përfaqësojnë një humbje të madhe për “politikën cinike të establishmentit që e sheh kritikën ndaj Izraelit si diçka të papranueshme”.
“Amerikanët kanë shkuar në votime dhe kanë thënë ‘nuk e duam më këtë m*t’,” tha ajo.
Profesoresha theksoi se – ngjashëm me Mamdanin – kandidatët progresistë që fituan në Nju Jork e bënë këtë për shkak të – dhe jo me gjithë – avokimit të tyre për të drejtat e palestinezëve.
Iman Abid, drejtoresha politike e US Campaign for Palestinian Rights Action (USCPR Action), gjithashtu përshëndeti fitoren e Avila Chevalier dhe Valdez.
“Në Nju Jork sonte, establishmenti politik anti-palestinez po shembet para syve tanë,” tha Abid në një deklaratë. “Progresistët guximtarë që po luftojnë për drejtësi – për të drejtat e punëtorëve, qira të përballueshme, të drejtat e emigrantëve dhe një Palestinë të lirë – kanë fituar zgjedhjet e tyre parësore.”
Përtej Nju Jorkut
Sondazhet e opinionit publik sugjerojnë se mbështetja për Izraelin ka rënë ndjeshëm në SHBA, veçanërisht mes demokratëve.
Prandaj, mbështetësit janë besimplotë se rezultatet në Nju Jork mund të përkthehen në fitore të mëtejshme për lëvizjen e të drejtave palestineze në të gjithë SHBA-në.
Ata vënë në dukje suksesin e kandidatëve pro-palestinezë në këtë cikël zgjedhor, duke përfshirë Chris Rabb në Pensilvani dhe Adam Hamawy në Nju Xhersi.
Rabb përshëndeti fitoren e Avila Chevalier dhe Valdez të martën.
“Darializa e di se ne duhet të investojmë te foshnjat dhe jo te bombat, tek emigrantët dhe jo te ICE (Agjencia e Emigrimit), dhe te qiramarrësit e jo te zhvilluesit e pasurive të paluajtshme,” shkroi ai në X.
“Së bashku në Kongres, ne do të përballemi me establishmentin e Uashingtonit dhe do të sigurojmë rezultate për familjet punëtore në të gjithë vendin!”
Komiteti Amerikan i Çështjeve Publike të Izraelit (AIPAC) dhe grupe të tjera pro-izraelite kanë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë për të mposhtur kandidatët progresistë.
Por Miller, nga JVP Action, tha se përballja me AIPAC-un, përqafimi i thirrjeve për lirinë e Palestinës dhe kërkesa për një “fund të plotë të bashkëfajësisë së SHBA-së në aparteidin dhe gjenocidin izraelit” po provohet të jetë një mesazh fitues në zgjedhjet parësore demokrate.
Kur kandidatët fitues pro-palestinezë t’i bashkohen Kongresit të ardhshëm në fillim të vitit 2027, ata do të zgjerojnë krisjen e shfaqur në konsensusin dypartiak për mbështetjen e pakushtëzuar ndaj Izraelit në Kapitol.
Megjithatë, pavarësisht zgjedhjes së anëtarëve të Kongresit kritikë ndaj Izraelit dhe ndryshimit të opinionit publik gjatë dekadës së fundit, politika e SHBA-së ka mbetur kryesisht e lidhur me qeverinë izraelite, si në administratat demokrate ashtu edhe në ato republikane.
Gowayed tha se do të duhet kohë për të ndryshuar politikën, por ajo theksoi se zgjedhjet në Nju Jork treguan se ndryshimi është i mundur.
“Arsyeja pse ndihem kaq mirë është sepse ne jemi vërtet kundër një makinerie që është e rrënjosur, që është jashtëzakonisht mirë e financuar dhe që zgjat prej kohësh,” tha ajo për Al Jazeera.
Miller ndau të njëjtin vlerësim. Ajo tha se kandidatët fitues në këtë cikël jo vetëm që rrisin numrin e ligjvënësve që mbështesin të drejtat e palestinezëve, por gjithashtu u dërgojnë një mesazh politikanëve të tjerë se “ky është një mesazh fitues”.
“Pra, shpresa ime është që në Kongresin e ardhshëm të mund të afrohemi ndjeshëm drejt bllokimit të vërtetë të bombave dhe armëve për Izraelin,” tha ajo. “Ne duhet të rrisim me të vërtetë tavanin e asaj që besojmë se është e mundur.”