Deputeti i PD, Baçi: Monopolet, korrupsioni dhe burokracia mbeten shqetësim për biznesin
Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, komentoi gjetjet e sipërmarrjeve që operojnë në vend, të cilat rendisin si problematika kryesore monopolin, konkurrencën e pandershme, burokracinë, klimën politike dhe korrupsionin.
Sipas Baçit, këto faktorë ndikojnë në funksionimin e tregut dhe në aktivitetin e bizneseve. Ai tha se përkeqësimi i klimës politike po konsiderohet nga biznesi si një faktor rreziku për investimet dhe zhvillimin ekonomik.
“Shqetësues fakti se vetë sipërmarrjet që operojnë në vendin tonë rendisin si problem monopolin dhe konkurrencën e pandershme, burokracinë dhe burokracitë, klimën politike dhe korrupsionin. Ky është një model i ndërtuar nga qeveria Rama dhe kjo do të thotë se tregu nuk funksionon më sipas meritës, por sipas privilegjit. Kjo tregon se ndërmarrjet e ndershme dhe përfitues është gjithmonë ai që është pranë pushtetit. Kur paratë e pista injektohen në ekonomi nuk mund të flasim më për ekonomi të shëndetshme apo qeverisje të përgjegjshme, por flasim vetëm për strukturë të korruptuar që ka përvetësuar ekonominë, ka grabitur pronat. Përkeqësimi dramatik i klimës politike është mesazh i qartë se biznesi e konsideron situatën politike si faktor të rrezikshëm për investimet ekonomike dhe zhvillimin e kapitalit”, tha ai.
Deputeti demokrat u ndal gjithashtu te burokracia shtetërore, të cilën e cilësoi si një pengesë për aktivitetin ekonomik dhe për marrëdhënien mes shtetit dhe biznesit.
Baçi deklaroi se protestat e zhvilluara së fundmi përbëjnë një zhvillim pozitiv dhe se ato duhet të mbështeten.
“Burokracia shtetërore është pengesë e madhe për aktivitetin ekonomik, shteti nuk perceptohet si partner i biznesit por si barrë për të dhe burim pasigurie. Ky model ka prodhuar korrupsion, pabarazi dhe rrënim të konkurrencës së lirë. Për këtë arsye protestat janë një zhvillim shumë pozitiv dhe shpresëdhënës për vendin. Këto protesta duhet të mbështeten”, tha Baçi.