“Në emër të Allahut predikon urrejtje”, Rama ndan foton e qytetares: Besimtare e shitur!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ashpër përmes rrjeteve sociale lidhur me protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë. Përmes një postimi të shoqëruar me foto, kreu i qeverisë ka bërë një ndarje të qartë mes qytetarëve që ngrihen për një kauzë të sinqertë dhe atyre që i konsideron si përfitues politikë.
Sipas Ramës, pas këtyre kryengritjeve fshihen “përfitues të turlillojshëm” dhe “patriotë të shtirur”, të cilët financohen nga paratë e huaja apo interesa të errëta vendase. Ai ka akuzuar këta individë se e kanë kthyer një protestë legjitime për natyrën në një terren urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.
“Mos u merr me protestuesit…
Jo, asnjëherë me protestuesit, po me përfituesit patjetër.
Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë.
Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, ka shkruar Rama.