Thursday, 25 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaLargimi i Koçekut nga PS, Braçe: Ajo e ka të lehtë të ikë! Mua s’ma beson kush që jam i pavarur…

Largimi i Koçekut nga PS, Braçe: Ajo e ka të lehtë të ikë! Mua s’ma beson kush që jam i pavarur…

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka komentuar largimin e Marjana Koçekut nga PS, duke theksuar se situata e tij politike është krejt ndryshe për shkak të angazhimit të gjatë në radhët e socialistëve.

I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, Braçe u shpreh se edhe nëse do të deklaronte se është i pavarur, askush nuk do ta besonte, pasi ai ka qenë pjesë e Partisë Socialiste që nga themelimi i saj.

“Nuk është çështje dyshimi. Unë edhe sikur të them që jam i pavarur, nuk ma beson kush, se unë kam që nga themelimi i PS në PS. Dalja ime e pavarur do ishte e pavlerë. Unë për sa kohë jam në Kuvend dhe bëj deputetin, nuk kam arsye pse ta jap dorëheqjen. Unë e kam vendin ku mund t’i bëj të gjitha. Sa kohë unë e kam këtë mundësi, s’kam pse të dal në protestë. Duket banale që unë të dal në protestë, ndërkohë kur unë kam vendin ku mund t’i bëj të gjitha. Për më tepër, unë nuk dua të përfitoj politikisht nga protesta. Nuk dua të bëj si disa kolegë të mi të së djathtës, të dal aty dhe të mos më pyesë njeri.

Vendimi i saj ishte vendimi i saj. Ajo e ka të lehtë të ikë nga një përkatësi politike dhe të dalë atje matanë. Atë edhe mund ta besojnë që është e pavarur, por mua s’ma beson kush. Ajo ka milituar si një aktiviste, unë nuk kam milituar kështu. Unë kam milituar si socialist”, tha Braçe.

Deputeti socialist theksoi se mandati i deputetit dhe roli i tij në Kuvend i japin mundësinë të adresojë çështjet që konsideron të rëndësishme, pa pasur nevojë të ndjekë forma të tjera të angazhimit politik. Ai nënvizoi gjithashtu se nuk synon të përfitojë politikisht nga protestat, duke shtuar se zgjedh të veprojë përmes institucioneve ku ushtron funksionin e tij.

Lini një koment