Peleshi në Vatikan, takim me Papa Leoni XIV. Rikonfirmohet partneriteti i Shqipërisë me Selinë e Shenjtë
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, u takua në Vatikan me Atin e Shenjtë, Papa Leoni XIV. Takimi ishte një moment i veçantë që rikonfirmoi marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, të mbështetura mbi respektin dhe vlerat e përbashkëta si edhe vlerësimin për kontributin e Selisë së Shenjtë dhe Atit të Shenjtë për dialogun e bashkëpunimin për mbrojtjen e paqes, mirëqenies dhe sigurisë.
Kryetari i Kuvendit i dorëzoi Atit të Shenjtë një dhuratë simbolike nga Shqipëria, si shprehje e miqësisë dhe respektit të popullit shqiptar. Përmes saj u sollën në vëmendje lidhjet historike ndërmjet Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, duke kujtuar figurën e Papa Klementit XI, Gjon Françesk Albanit, me origjinë arbërore, dhe kontributin e tij në mbështetje të përpjekjeve kombëtare shqiptare për liri e pavarësi.
Shqipëria mbetet një shembull i harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare, vlera që janë pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe një kontribut i çmuar për qytetërimin.
Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Zëvendëskryetari Agron Gjekmarkaj, deputetët Iris Luarasi dhe Ermal Pacaj, si edhe Ambasadorja e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Frangaj.