Fraksioni i “Toyota Yaris”, kalon për gjykim dosja ndaj ish-hetueses së BKH-së Eriona Daupaj
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes penale që lidhet me fraksionin e çështjes së njohur si “Toyota Yaris”, ku të pandehur janë ish-hetuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Eriona Daupaj, dhe Astrit Vladi.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte paraqitur më 3 prill 2025 kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr. 26 të vitit 2024 në ngarkim të dy të pandehurve.
Në seancën paraprake të zhvilluar më 25 qershor 2026, gjyqtari Paulin Çera pranoi kërkesën e SPAK dhe vendosi kalimin e çështjes për gjykim themeli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Astrit Vladi akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, vepër e kryer në bashkëpunim dhe në disa raste, si edhe për korrupsion aktiv ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
Ndërkohë, Eriona Daupaj përballet me akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, si dhe korrupsion pasiv të funksionarëve të organeve të drejtësisë.
Gjykata vendosi gjithashtu bashkimin në shqyrtim edhe të procedimit penal nr. 26/1/1 të vitit 2025 ndaj Astrit Vladit për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Çështja do t’i kalojë tashmë për gjykim një trupe prej tre gjyqtarësh, e cila do të përzgjidhet me short. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, ndaj këtij vendimi nuk lejohet ankim.