Thursday, 25 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaKomisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në ligjin e SHISH dhe marrëveshjen me BERZH

Komisioni i Ligjeve miraton ndryshimet në ligjin e SHISH dhe marrëveshjen me BERZH

Nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike ka zhvilluar mbledhjen e radhës ku ka marrë në shqyrtim dy projektligje, tre projektrezoluata për institucionet e pavarura, si dhe ka zhvilluar një seancë dëgjimore për raportin vjetor të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).

Komisioni shqyrtoi fillimisht projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar”. Gjatë prezantimit, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, sqaroi objektivat e këtij propozimi.

“Synon përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit, duke e përshtatur me zhvillimet bashkëkohore të sigurisë, teknologjisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha Ismaili.

Ndër të tjera Ismaili nënvizoi se ndryshimet nuk cenojnë misionin themelor të SHISH-it, por qartësojnë dhe modernizojnë dispozitat ekzistuese.

Më pas, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH-it për projektin e nënstacionit të OSHEE-së në Tiranë. Përfaqësuesja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Edona Bilali, detajoi përfitimet e projektit.

“Projekti parashikon ndërtimin e nënstacionit të shpërndarjes së energjisë elektrike 110/20 KV në qendër të kryeqytetit, çka do të sjellë përmirësim të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët.”, tha ajo.

Gatë mbledhjes, anëtarët e komisionit kaluan për votim dhe miratuan tre dokumente vlerësimi për institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë për periudhën e kaluar.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin dhe miratimin e tre projektrezoluta: “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2025”; “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025” dhe “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.”

Në pjesën e dytë të mbledhjes, Inspektorja e Përgjithshme e ILDKPKI-së, Evgjeni Bashari, paraqiti raportin mbi kontrollin e pasurive dhe masat ligjore të ndërmarra, duke evidentuar procesin e verifikimit për llogari të vettingut dhe kontrollet e plota të kryera.

“Janë verifikuar në një kohë sa më të shkurtër 117 kandidatë të cilët kanë shprehur interes për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë. Për periudhën raportuese i janë nënshtruar kontrollit të plotë 655 subjekte dhe në përfundim të procedurave administrative janë referuar pranë organeve ligjzbatuese 16 raste si dhe janë aplikuar rreth 75 masa administrative me gjobë.”, tha Bashari.

Lidhur me zbatimin e ligjit për sinjalizuesit dhe normën e deklarimit në afat nga subjektet e ligjit, Bashari paraqiti të dhënat statistikore të institucionit:

“Gjatë vitit 2025, shkalla e përmbushjes në afat të detyrimit për deklarim nga subjektet përkatëse ka qenë 99.3% janë ngritur 185 Njësi Përgjegjëse në sektorin publik dhe 526 Njësi Përgjegjëse në sektorin privat.”

Raporti u vlerësua nga relatori, deputeti Damian Gjiknuri, i cili paraqiti edhe rekomandimet përkatëse për vitin në vijim përpara se drejtuesja e ILDKPKI-së t’u përgjigjej pyetjeve të deputetëve.

Lini një koment