“Tokat Bujqësore”/ E akuzoi për “shitje të territorit”, Rama i përgjigjet protestuesit: Nuk lexon dot edhe një projektligj me 10 nene. Ligji bëhet efektiv 7 vjet pas hyrjes së Shqipërisë në BE
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me debatin mbi një projektligj që parashikon kalimin në pronësi të tokave bujqësore për personat fizikë dhe juridikë të huaj. Reagimi i kreut të qeverisë vjen pas replikave me një protestues të identifikuar në postim si Klajdi Bello, i cili ka kundërshtuar nismën ligjore duke paralajmëruar përshkallëzim të reagimit qytetar.
Sipas postimit të Kryeministrit, protestuesi ka ngritur akuza për cenim të sovranitetit kombëtar.
“Dakord ne punojmë për “Iranin”, po ju more këllira tradhtarë të kombit për kë punoni? Këta gjakprishur, vijojnë me projekt ligje që vendosin në shitje tokën e shqiptarëve për pushtuesit shqipfolës e të huaj, duke cenuar drejtpërsëdrejti territorialitetin dhe Sovranitetin Kombëtar. Nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të kaloj ky ligj antikombëtar, përndryshe përshkallëzim, deri në mos bindje civile. Sot edhe më shumë. Deri në frymën e fundit”, citon Rama në postim protestuesin.
Në përgjigje të këtyre deklaratave, Kryeministri Rama ka zgjedhur të citojë fillimisht Gjergj Fishtën, lidhur me pasojat e paditurisë:
“Po nuk ban kurr hajër Shqipnia n’se padija dhe krenija do të shkojnë njit si trupi e hija”
Më pas, kreu i qeverisë e ka konsideruar keqinterpretimin e ligjit si një lexim të pasaktë të draftit, duke theksuar se:
“Paj Zotin shikojeni se kush do ju shpëtojë nga unë, një patriot që nuk lexon dot një ligj me 10 nene”, shkruan Rama.
Në vijim të sqarimit të tij, Kryeministri theksoi se projektligji në fjalë është një detyrim që buron nga procesi i integrimit evropian dhe efekti i tij është i lidhur me afatet e anëtarësimit të plotë të vendit.
“Në fakt, ky është një nga projekt-ligjet e procesit të negociatave, i cili siç mund ta lexoni hyn në fuqi 7 vjet pas hyrjes së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kur toka mund t’u shitet pushtuesve evropianë në Shqipëri, njësoj siç mund të blihet nga pushtuesit shqiptarë në Evropë, sepse me hyrjen në BE Shqipëria do jetë e madhe sa BE-ja dhe BE-ja do jetë e vogël sa Shqipëria”, shkruan Rama.