Friday, 26 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaPlazhet publike me pagesë, Ministri Gonxhja: Disa janë tarifuar 1 mijë lekë të reja, lidhet me kostot e larta të mirëmbajtjes

Plazhet publike me pagesë, Ministri Gonxhja: Disa janë tarifuar 1 mijë lekë të reja, lidhet me kostot e larta të mirëmbajtjes

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur ditën e sotme pas mbledhjes së Qeverisë, ku janë marrë disa vendime, një prej të cilëve lidhet me plazhet publike me pagesë.

Gonxhja tha se disa prej plazheve publike janë tarifuar deri në 1000 lekë të reja. Sipas tij, kjo lidhet me kostot më të larta të mirëmbajtjes së plazheve në Ksamil dhe në zona të tjera të jugut të vendit.

“Numri i vizitorëve në vendin tonë është në nivele rekorde që nuk i kemi parë më parë. Kemi një risi të rëndësishme sivjet, përsa i takon menaxhimit të stacioneve të plazheve, për të bërë të mundur që të kemi një rregullator në treg përsa i takon çmimeve dhe tarifave. Dhe duke shtuar një tipologji të re që është tipologjia e plazheve publike të menaxhuara nga njësitë e vetë-qeverisjes vendore.

Krahas plazhit të virgjër, kemi edhe tipologjinë e plazheve, që disa bashki i kanë vendosur të gjitha shërbimet, edhe çadra, edhe shezlonge, apo dushe, i cili në disa prej bashkive është tarifuar në 700 lekë apo 1000 lekë. Kjo në varësi të plazheve.

Sepse kur shkojmë drejt jugut, drejt Ksamilit, natyrisht që kostot e mirëmbajtjes së këtyre plazheve, apo kostot që janë jashtë periudhës jashtë sezonit, për të mbajtur rërën, për të ruajtur plazhet nga erozioni, nga ndikimi i detit gjatë dimrit, etj, kostot që këto brigje kanë, janë shumë më të larta. Për këtë arsye edhe kërkesa është më e lartë. Ka disa tarifa që janë pak më të larta. Tipologjitë e plazheve kanë bërë që edhe plazhet private të ruajnë tavanet e çmimeve, për shkak të konkurrencës nga këto plazhe publike”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja.

Lini një koment