Berisha: Protesta e të rinjve është historike, çdo shqiptar duhet ta mbështesë
Ndonëse nuk është aksioni i Partisë Demokratike, protesta e të rinjve, e nisur qysh prej fillimit të këtij muaji, mbetet kryefjalë për selinë blu.
Kryedemokrati Sali Berisha u bëri sërish thirrje shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, të mbështesin lëvizjen qytetare të cilën ai e cilësoi si shpresën më të madhe për të ardhmen e vendit.
“Për çdo demokrat e demokratë, për çdo shqiptar dhe shqiptar, kudo që ndodhet në Shqipëri, jashtë saj, në diasporë, të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë. Secili shqiptar duhet të mendojë për një moment se do të jetë historik kontributi i tij në suksesin e kësaj proteste”, tha Berisha.
Numri një i Partisë Demokratike njoftoi gjithashtu se gjatë një vizite në Berlin, ku mori pjesë në një aktivitet të grupit parlamentar CDU, CSU, zhvilloi takime me deputetë e zyrtarë gjerman.
“Në takim me mua ishte dhe Tomor Alizoti dhe informova për revoltën madhështore të të rinjve shqiptarë, kërkesat e drejta të tyre, garancitë që i jep Partia Demokratike për t’i mbështetur ato kërkesa me të gjithë forcën e saj dhe qëndrimit që mban. Kërkova mbështetjen e tyre”, tha ai.
Sipas kreut të opozitës Sali Berisha, vazhdimësia dhe masiviteti i protestës kanë rikthyer shpresën e qytetarëve dhe e kanë kthyer atë në zhvillimin më të rëndësishëm politik e qytetar të momentit.