Rama publikon pamje live nga Banjat e Përmetit: ‘Flamingot me qeleshe’ shpërndanë lajme të rreme, por fitoi e vërteta
Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një formë të drejtpërdrejtë për t’iu përgjigjur akuzave që kanë qarkulluar në rrjetet sociale ditët e fundit, lidhur me gjendjen e Banjave Termale të Bënjës në Përmet. Përmes një transmetimi “live” në rrjetet e tij zyrtare, kreu i qeverisë ka publikuar pamje nga vendngjarja, duke hedhur poshtë pretendimet se burimet termale ishin tharë.
Kryeministri i ka konsideruar lajmet e ditëve të fundit si një fushatë të qëllimshme dizinformimi dhe montazhe provokuese.
“LIVE nga Banjat ‘e shkretuara’ Termale të Bënjës, Përmet, ku me shumë dizinformim e montazhe provokuese të shpërndara kanaleve sociale nga flamingot me qeleshe të bulevardit dhe me fryrjen e Algoritmit të urrejtjes, u tentua të krijohej një vatër e re nxitjeje… Por kësaj radhe s’nuk, fitoi e vërteta,” shkruan Rama në postimin e tij.
Përmes pamjeve të transmetuara, Kryeministri synoi të provojë se burimet termale vijojnë të jenë funksionale dhe se zona mbetet e vizitueshme, duke i cilësuar pretendimet për “tharje” si një përpjekje për të krijuar artificialisht pakënaqësi publike.
Me këtë reagim, Rama ka denoncuar atë që ai e quan “Algoritmi i urrejtjes”, duke akuzuar ata që i quan “flamingot me qeleshe të bulevardit” për shpërndarje të lajmeve të rreme.