Sunday, 28 June 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaRama me “Albanian Files” në dorë: Tekst auto-ironik, i janë qepur botimit si në kohën e Revolucionit Kulturor kinez

Rama me “Albanian Files” në dorë: Tekst auto-ironik, i janë qepur botimit si në kohën e Revolucionit Kulturor kinez

Në episodin e radhës të podkastit Flasim, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që në rubrikën “Shënimet e Ditës” të diskutojë mbi temat që ai i konsideron të rëndësishme për aktualitetin politik dhe shoqëror. Ashtu si çdo të diel, ai foli për ngjarjet kyçe të javës, duke e nisur fjalën me librin “The Albanian Files”.

Rama e cilësoi këtë botim si një nga më të rëndësishmit të viteve të fundit në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban.

“Është një ndër botimet më të rëndësishme të viteve të fundit, në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban, në Europë dhe në botë. Është një botim i ri i kohëve të fundit dhe ka brenda punët, projektet, idetë, shënimet e 60 arkitektëve dhe studiove me një reputacion të padiskutueshëm ndërkombëtar, të cilat i lidh së bashku në faqet e librit, Shqipëria!” – tha kreu i qeverisë, duke hedhur poshtë aludimet e fundit për këtë libër.

Ai shtoi se, Nuk është libri im, unë aty kam dhënë një kontribut thjesht me një tekst parathënës, si kryeministër i Shqipërisë.”

“Buron nga fryma e bulevardit, ku protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë të tjera dhe një nga degët është ajo inkuizicionale, e cila përndjek, në thonjëza sigurisht, me fjalë, me shpifje një nga grupet më të rëndësishme që i janë qasur Shqipërisë në këto 30 vite. Njerëz që e kanë bërë emrin e tyre dhe që janë mbledhur në Shqipëri, siç u mblodhën në New York, në vitet ’30.”

Sipas tij, debati është nxitur nga një tekst autoironik i një arkitekti.

“Është kthyer kokë poshtë! Tregon që në fakt, libri është tërësisht i lirë dhe i pakontrolluar. Të gjithë autorët kanë pasur pavarësi të plotë në materialet e tyre.”

Kryeministri e përmbylli duke theksuar se “The Albanian Files” është një projekt editorial i pavarur, me kontribute nga studio arkitekturore që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit.

“Protesta e filluar për natyrën ka krijuar shumë degë dhe një nga degët është dega inkuzicionale e cila ‘përndjek’, me fjalë, me akuza, me shpifje. The Albanian Files është vendosur në shënjestër nga inkuizicioni revolucionar i protestës, ndërkohë që s’është libri im, dhe s’është një botim i kontrolluar prej meje, thjesht kam dhënë një kontribut me tekst parathënës, së bashku me këtë armatë arkitektësh që janë profesorë në universitetet më të mira të botës. Ka ardhur si projekt editorial tërësisht i pavarur dhe janë kontribute të studiojve që punojnë në Shqipëri dy dekadat e fundit. Patjetër që ka gjëra të debatueshme, të kritikueshme, por që t’i qepesh një botimi të tillë si të ishte koha e Revolucionit Kulturor kinez, dhe të kapesh me një tekst që është auto-ironik….Ky është kulmi. Teksti i vënë aty, në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje, që mua s’më ka ardhur, është shënim në dosjen e arkitektit, ku thotë ‘pse duhet të bëhen zgjedhje, duhet të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretërit me arkitekturën’, që s’ka lidhje me thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë, tregon që libri është i lirë, i pakontrolluar”, tha Rama në podkastin e fundjavës.

Lini një koment