Berisha: ‘Albanian Files’ nxjerr lakuriq Ramën që e trajton Shqipërinë si Sulltanatin e tij. Ftoj Eurojust dhe Europol të hetojnë 523 projektet
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj, asaj që ai e cilëson si “monologu i Edi Ramës”, lidhur me librin ‘Albanian Files’, duke e akuzuar kryeministrin “se po përpiqet të fshihet pas emrave të arkitektëve dhe studiove të huaja për të justifikuar atë që opozita e konsideron një grabitje të pasurive publike dhe private në Shqipëri”.
Në një video-mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha tha se libri nuk dëshmon suksesin e qeverisë, por e paraqet Ramën si ‘një sulltan të një sulltanati të shekujve më parë’, që e trajton vendin si pronë personale.
Sipas tij, publikimi i 523 projekteve ngre pikëpyetje të mëdha mbi burimin e financimeve për hartimin e tyre, ndërsa kërkoi që institucionet ndërkombëtare si Eurojust, Europol dhe Interpol të hetojnë pagesat e kryera. Berisha akuzoi gjithashtu Ramën për konflikte interesi dhe përfitime familjare në zonën e Gjipesë, duke e cilësuar reagimin qytetar ndaj librit si ‘plotësisht të merituar dhe dinjitoz’.