Afër dhe larg Tiranës, fshatrat që jetojnë si në mesjetë! Burrat mbeten pa martuar
Emisioni “Njerëzit e Fshatit” në Euronews Albania, me gazetarin Xhensil Shkëmbi, udhëtoi këtë javë në Fravesh, Pashkashesh dhe Kllojkë, tre fshatra të qarkut të Tiranës që, megjithëse ndodhen pranë kryeqytetit, përballen me probleme të thella sociale dhe ekonomike.
Përmes dëshmive të banorëve, reportazhi solli në vëmendje mungesën e investimeve, infrastrukturën e amortizuar, shpopullimin dhe vështirësitë e jetesës. Në Kllojkë, një çoban i ri tha se e ka të pamundur të krijojë familje, pasi, sipas tij, “nuk vjen nusja në fshat”, ndërsa banorë të tjerë treguan se janë detyruar të financojnë vetë ndërhyrjet për rrugën, pasi institucionet, sipas tyre, i kanë lënë në harresë.
Emisioni evidentoi edhe pasojat e emigrimit dhe largimit të të rinjve, fenomen që ka lënë shumë fshatra me popullsi të plakur dhe me burra që nuk kanë mundur të krijojnë familje. Banorët shprehën gjithashtu pakënaqësitë e tyre për mungesën e mbështetjes nga pushteti vendor dhe ai qendror.
Banorët thonë se ndihen të zhgënjyer, madje janë detyruar aq sa me financat e tyre të ndërtojnë rrugën
“Kjo rruga është bërë me paratë tona. Na premtoi deputetja, me jepni votën se do e bej rrugën dhe nuk u duk më”, tha njëri nga banorët e Kllojkës.
Në bisedat me gazetarin, ata komentuan edhe situatën politike në vend, duke kërkuar më shumë hapësirë për të rinjtë në drejtimin e Shqipërisë dhe duke u shprehur se protestat qytetare duhet të zhvillohen pa ndikimin e partive politike.
Përmes historive njerëzore, “Njerëzit e Fshatit” solli edhe një herë në vëmendje kontrastin mes afërsisë me Tiranën dhe realitetit të vështirë që përjetojnë çdo ditë banorët e këtyre zonave rurale.