Noka: SHISH është futur në protesta, deputeti i PD-së kërkon sqarime, debat për seancën me dyer të mbyllura
Përplasjet politike kanë shoqëruar seancën dëgjimore në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ku u shqyrtua raporti vjetor i Shërbimit Informativ Shtetëror për vitin 2025.
Deputeti demokrat Flamur Noka akuzoi Shërbimin Informativ Shtetëror se po tejkalon kompetencat e tij, duke pretenduar se është përfshirë në monitorimin e protestave dhe se po përdoret për interesa politike.
Noka kërkoi që seanca me drejtoreshën e SHISH të zhvillohej publikisht, me argumentin se qytetarët duhet të informohen mbi rolin e institucionit dhe çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare.
“Kanë nevojë sot qytetarët të dinë ç’lidhje ka Shërbimi Informativ që është përfshirë tërësisht brenda një proteste e cila ka një skenar mirëfilltë politik.
Çfarë do trupa operative e shërbimit brenda protestuesve, qytetarëve, të rinjve të reja që protestojnë për të rrëzuar Edi Ramën… Shërbimi nuk është për të qenë kamikaz në funksion të karriges së Edi Ramës. Shërbimi është institucion në shërbim të sigurisë kombëtare të vendit”, u shpreh Noka.
Por kryetari i Komisionit, Bledi Çuçi, sqaroi se, sipas ligjit, është institucioni që paraqet informacionin ai që përcakton nivelin e konfidencialitetit të mbledhjes.