Kosova mungon në Samitin në Ankara, NATO jep sqarimin zyrtar
NATO është deklaruar për interesimin që po ndodh në Kosovë lidhur me mospjesëmarrjen e vendit në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara më 7 dhe 8 korrik, duke bërë të ditur se programi i samitit është i përqendruar te 32 shtetet aleate dhe një numër i kufizuar partnerësh.
Në një përgjigje për Telegrafin, një zyrtar i NATO-s tha se temat kryesore të samitit do të jenë investimet në mbrojtje, rritja e kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.
“Temat kryesore të Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s në Ankara këtë korrik janë investimet në mbrojtje, prodhimi industrial i mbrojtjes dhe mbështetja për Ukrainën”, thuhet në përgjigje shkruan Telegrafi.
Zyrtari i NATO-s rikujtoi edhe deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, sipas të cilit fokusi i aleancës mbetet zbatimi i angazhimeve të marra nga shtetet anëtare.
“Detyra përpara është e qartë: të shndërrohen angazhimet e Aleatëve në rezultate konkrete. Rritja e investimeve, prodhimi industrial dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën. E gjithë kjo kontribuon në një NATO më të fortë dhe siguri më të madhe për të gjithë ne”, kishte deklaruar Rutte.
Sipas NATO-s, programi i samitit do të përfshijë takimin e 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare, si dhe angazhime me disa partnerë të Aleancës.
“Programi do të përfshijë një takim të 32 Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, si dhe angazhime me disa nga partnerët tanë, përfshirë Ukrainën, Bashkimin Evropian, Indo-Paqësorin dhe Iniciativën e Bashkëpunimit të Stambollit”, thuhet në përgjigje për Telegrafin.
Ndonëse Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samit, NATO thekson se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën dhe se angazhimi për sigurinë në rajon vazhdon të jetë i pandryshuar.
“Ballkani Perëndimor mbetet lart në axhendën e NATO-s. Është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin e rajonit është i palëkundur dhe nuk do të lejojmë të krijohet një boshllëk sigurie”, thuhet në përgjigje.
Në të njëjtën përgjigje, NATO nënvizon se misioni i KFOR-it vazhdon të ketë një rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.
“KFOR-i vazhdon të luajë një rol kritik sigurie në Kosovë, nën një mandat afatgjatë të OKB-së, ndërsa ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me Bashkimin Evropian. Siguria e Ballkanit Perëndimor është jetike edhe për ne dhe nuk do të lejojmë që ajo të rrezikohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.
Përgjigjja e NATO-s vjen pas diskutimeve dhe reagimeve të shumta në Kosovë lidhur me faktin se vendi nuk figuron në mesin e pjesëmarrësve të Samitit të NATO-s në Ankara.
Ndryshe Telegrafi do të përcjellë samitin e NATO-s që do të mbahet në Ankara. /Telegrafi/.