Ministri Demo: Qasje e re kombëtare për transportin urban
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka njoftuar një paketë mbështetëse prej 650 milionë eurosh për fuqizimin e pushtetit vendor dhe infrastrukturës në të gjithë territorin.
Pas mbledhjes së qeverisë, Demo deklaroi se investimet janë fokusuar në forcimin e kapaciteteve vendore, përmirësimin e infrastrukturës bazike dhe dy programe të rëndësishme specifike.
“Janë plot 650 milionë euro të cilat janë fokusuar në fuqizimin e kapaciteteve në nivel vendor. 35 milionë euro janë për përmirësimin e infrastrukturës bazike që ne kemi në territor dhe 30 milionë euro të tjera janë të fokusuara në dy programe shumë të rëndësishme”, tha Demo.
Një nga programet kryesore është krijimi i flotës logjistike në çdo qark, e cila do t’i shërbejë bashkive për mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore dhe infrastrukturore.
Pjesë e rëndësishme e këtij programi është edhe qasja e re kombëtare për transportin urban.
“Këtu pjesë e këtij programi është edhe krijimi i një qasjeje të re kombëtare për sa i përket transportit urban. Do të jenë bashkitë e para pilot që do të përfshihen brenda vitit 2026, të cilat do të kalojnë transportin publik në një bashkëpunim midis bashkive, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe, kuptohet, një transport me standarde dhe patjetër me autobusë të kohëve të fundit, elektrikë, duke krijuar një ambient më të mirë por edhe ulje të kostove për qytetarët”, theksoi ministri Ervin Demo.
Sipas tij, kjo iniciativë synon modernizimin e transportit publik lokal me standarde evropiane, duke ulur ndotjen mjedisore dhe kostot për qytetarët.