Thirrjet për përshkallëzim të protestës, Rama: Flamingot dhe sorrat ndahen nga ata që duan paqen dhe ata që nxisin dhunën. Të parët do e kenë atë që kërkojnë, të dytët, atë që meritojnë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale nga një protestues, i cili kërkonte përshkallëzim të situatës gjatë protestës para Parlamentit paraditen e sotme.
Në reagimin e tij, Rama tha se “flamingot” dhe “sorrat e korbat” e protestës ndahen pikërisht nga ata që duan paqen dhe ata që nxisin dhunën.
Sipas tij, “flamingot”, duke simbolizuar qytetarët e thjeshtë të protestës paqësore, do të dëgjohen në kërkesat e tyre dhe do të mbështeten në përpjekjet për një vend më të mirë dhe më të drejtë, ndërsa ata që nxisin dhunë dhe përplasje do të marrin përgjegjësinë që meritojnë.
“Flamingot dhe sorrat me korbat i ndan pikërisht hendeku që ndan paqen me dhunën. Të parët duan që Shqipëria të jetë më e mirë, më e drejtë, më e pastër, ndërsa të dytët e duan Shqipërinë shesh për horrllëk, dhunë, pisllëk. Flamingot do ta kenë atë që kërkojnë, kurse dështakëzemërakët e kores së zezë të kësaj proteste do marrin atë që meritojnë sorrat dhe korbat,” shkruan Rama.
Rama iu përgjigj një video të publikuar në rrjetet sociale, ku një protestues thoshte se “ku janë ato protestues që donin të përshkallëzonin protestën? Ku janë sot që ne jemi përplasur me policinë,” duke iu referuar dhunës në protestën para Kuvendit.
Gjatë ditës së sotme, protestuesit rrethuan godinën e Kuvendit, duke hedhur vezë në drejtim të automjeteve të policisë dhe të deputetëve, si dhe duke tentuar të çanin kordonin e forcave të rendit. Situata u shoqërua edhe me përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.
Si pasojë e tensioneve, policia shoqëroi disa protestues, të cilët më pas u lanë të lirë, ndërsa u raportuan edhe 4 efektivë të lënduar gjatë përplasjeve.