Wednesday, 1 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaDeputeti i PS: Qeveria, e gatshme të dëgjojë një përfaqësi të protestuesve! Duhet transparencë në çdo veprim

Deputeti i PS: Qeveria, e gatshme të dëgjojë një përfaqësi të protestuesve! Duhet transparencë në çdo veprim

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Malaj, deklaroi se qeveria është e gatshme të dëgjojë një përfaqësi të protestuesve, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe transparencës në trajtimin e kërkesave të tyre.

Sipas Malajt, Kryeministri është shprehur qartë që në fillim se është i hapur për të dëgjuar përfaqësues të protestuesve dhe për të reflektuar mbi çështjet e ngritura.

Deputeti socialist u shpreh në emisionin “Trialog” në RTSH, se që në nisje të tubimeve, është bërë dallimi mes qytetarëve me kërkesa të drejta për përmirësimin e vendit dhe atyre që, sipas tij, kanë interesa në favor të palëve të treta.

“Kryeministri është shprehur qartë që në fillim se është i gatshëm të dëgjojë një përfaqësi të protestuesve dhe se duhen nxjerrë shumë gjëra të mira, sidomos në ditët e para të protestës. Edhe sot, Rama tha se Shqipëria nuk ka asnjë problem me protestën. Që në fillim të kësaj proteste, PS ka dalluar qytetarët që kanë kërkesa të drejta për përmirësimin e vendit dhe oportunistët që janë të përfshirë për interesa të ndryshme. Ne flasim për qytetarë që duan të përmirësojnë diçka në vend dhe prandaj kërkohet të dëgjohet një përfaqësi e kësaj proteste që ende nuk është përcaktuar edhe sot, dhe të diskutohet për kërkesat e tyre”, tha Malaj.

Malaj shtoi se çdo qeveri demokratike duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve kur ai është i qartë dhe i argumentuar. Sipas tij, transparenca në çdo veprim mbetet thelbësore për të shmangur keqinterpretimet dhe për të garantuar një debat të hapur publik.

“Çdo qeveri demokratike duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve kur ai është i qartë, pasi është në të mirë të vendit, dhe jo kërkesat që vijnë nga një grup me interesa të ndryshme. Duhet transparencë në çdo veprim që bëjmë, për të shmangur keqinterpretimet”, tha ai.

Lini një koment