Zogaj: Duhet shmangur dhuna verbale dhe fizike! Nuk fitohet me pushtimin e “Pallatit të Dimrit”
Analisti Preç Zogaj deklaroi në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk ka prodhuar kurrë rezultate pozitive në historinë e protestave në Shqipëri.
“Sigurisht që edhe duke parë historinë e protestave në Shqipëri mund të konkludojmë se dhuna nuk ka prodhuar kurrë ndonjë gjë të mirë. Dhuna nuk prodhon demokraci”, deklaroi Zogaj.
Ai bëri dallimin midis dhunës fizike dhe asaj verbale, duke vënë në dukje se kjo e fundit është bërë pjesë e ligjërimit politik dhe parlamentar, por theksoi se ajo inkurajon forma të tjera dhune dhe deformon protestën.
“Por kjo dhunë e deformon natyrën paqësore dhe magjinë e kësaj proteste, sepse e kthen në fis protestën, e kthen tek ajo që kemi parë prej vitesh”, shtoi ai.
Zogaj u shpreh se askush nuk duhet të mendojë se problemet zgjidhen me metoda radikale.
“Të mos mendojë kush se do zgjidhet me pushtimin e Pallatit të Dimrit që është ai simboli i revolucionit të Leninit. Edhe atje tani ikin gjithë vijnë ata që pushtojnë pallatin. Kjo sepse ne jemi duke dashur të hyjmë në Evropë”, paralajmëroi Zogaj.
Ai vlerësoi karakterin paqësor të protestës rinore, duke e cilësuar si pararojë të integrimit europian.
“Masa e protestuesve aty janë pararojë e integrimit të Shqipërisë në BE. Busulla është integrimi në BE. Ata janë komplementarë me gjithë faktorët politikë që punojnë për integrimin në BE. Po janë më të shpejtë”, u shpreh Zogaj.
Analisti nënvizoi rëndësinë e masës rinore qytetare dhe problemet konkrete që ajo ka ngritur, veçanërisht lidhur me Kapitullin 27 të negociatave me Bashkimin Europian.
“Këta kanë shtruar një problem madh që lidhet me Kapitullin 27 që ka të bëjë me standardet mjedisore. Protesta në qoftë se nuk reflektohet… Kapitulli 27 vihet në dyshim, por po s’u mbyll një kapitull nuk hyn në BE”, tha Preç Zogaj.