Tensione jashtë Kuvendit! Pas përdorimit të sprajit djegës, polici i vjen në ndihmë qytetarit
Ka degraduar në përplasje fizike protesta e mbajtur sot jashtë Kuvendit, ku situata ka kaluar në momente tensioni të lartë mes protestuesve dhe forcave të rendit. Në përpjekje për të zmbrapsur turmën që po tentonte të çante kordonin e sigurisë, policia ka përdorur spraj djegës.
Spraji djegës la pas disa protestues të lënduar me probleme në shikim për shkak të djegies. Pas disa minutash tensioni, situata ka vijuar me një qetësim të momentit.
Ajo që ka rënë në sy në mes të kaosit kanë qenë pamjet e një efektivi policie, i cili ka dalë nga rreshti i uniformave blu për t’i ardhur në ndihmë një qytetari të moshuar të prekur rëndë nga spraji. Në video shihet polici që ndihmon protestuesin duke i hedhur ujë për të larë sytë dhe për të zbutur djegien e fortë.