Thursday, 2 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaReforma në administratë, Pirdeni: Hap i domosdoshëm për integrimin në BE, pr.ligji synon pavarësi më të madhe për agjencitë autonome

Reforma në administratë, Pirdeni: Hap i domosdoshëm për integrimin në BE, pr.ligji synon pavarësi më të madhe për agjencitë autonome

Ministrija e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, ka prezantuar projektligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në reformimin e administratës publike dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian. Pirdeni theksoi se projektligji është rezultat i një pune dyvjeçare me ekspertë dhe grupe interesi, ndërsa vuri në dukje edhe rëndësinë e tij në kuadër të negociatave me Bashkimin Evropian.

“Punë 2-vjeçare për pr.ligjin me ekspertë dhe grupe interesi. Me mbajtjen e konferencës së 8-të ndërqeveritare në 26 maj u miratua dhe pozicioni i përbashkët i BE-së për piketat e ndërmjetme, ku ndër të tjera paraqitet si detyrë për Shqipërinë miratimi dhe zbatimi efektiv i këtij pr.ligji”, u shpreh Pirdeni.

Sipas saj, reforma në administratën publike përbën një nga kushtet horizontale që Shqipëria duhet të plotësojë për të avancuar më tej në procesin e negociatave në të gjithë sektorët. Pirdeni nënvizoi se projektligji synon modernizimin e organizimit dhe funksionimit të administratës shtetërore, me qëllim rritjen e llogaridhënies dhe eficiencës.

“Reforma në administratën publike një nga kushtet horizontale që Shqipëria duhet të plotësojë për avancimin e mëtejshëm të procesit të negociatave në gjithë sektorët. Koha për hapin e radhës: modernizimin e organizimit dhe funksionimit të organizatës shtetërore për të ngritur në tjetër nivel shkallën e llogaridhënies dhe funksionimin efecient të administratës në tërësinë e saj”, tha ajo.

Sipas saj, projektligji synon të thjeshtojë strukturën e institucioneve joministrore, duke i ndarë ato në dy kategori: institucione varësie dhe agjenci autonome. Ajo theksoi gjithashtu se synohet garantimi i pavarësisë funksionale të agjencive autonome në përputhje me standardet evropiane, si dhe vendosja e një sistemi të qartë të matjes së performancës institucionale.

“Ky pr.ligj synon të thjeshtojë kategoritë e institucioneve joministrore në 2 kategori: institucione varësie dhe agjenci autonome. Të garantojmë pavarësi funksionale të agjencive autonome në përputhje me standardet evropiane. Ligji parashikon një sistem të qartë të matjes së performancës institucionale për të gjitha institucionet e varësisë”, deklaroi ministrja.

Pirdeni shtoi se për herë të parë parashikohet forcimi i rolit të drejtorit të përgjithshëm si nivel thelbësor vendimmarrës në ministri, përveç rasteve kur ligji e lidh vendimmarrjen me ministrin ose sekretarin e përgjithshëm. Ajo theksoi se reforma synon dekoncentrimin e kompetencave dhe forcimin e kontrollit hierarkik brenda administratës publike.

“Ky pr.ligj parashikon për herë të parë që përveç rasteve kur ligji e lidh vendimmarrjen me ministrin ose sekretarin e përgjithshëm, drejtori i përgjithshëm bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes në një ministri. Kemi parashikuar që të garantojmë një dekoncentrim të kompetencave dhe të sigurohemi që shkallët më të larta të vendimmarrjes të ruajnë kontrollin hierarkik ndaj strukturave të tyre në varësi”, deklaroi Pirdeni.

Lini një koment