Tensionet në protestën para Kuvendit, Koçiu dënon dhunën: U desh shumë pak që kjo protestë të hiqte maskën
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka dënuar dhunën e ndodhur gjatë protestës së sotme para Kuvendit, ku mbetën të plagosur nëntë efektivë të Policisë së Shtetit.
Koçiu u shpreh se protesta kaloi nga pankartat dhe vezët në akte dhune, duke e cilësuar atë si një skenar të planifikuar.
“U desh shumë pak që kjo protestë të hiqte maskën. Nga pankartat me meme, te vezët, e më pas te dhuna dhe kaosi, pikërisht aty ku dukej se ishte planifikuar të mbërrinte që në fillim”, shkroi ajo.
Koçiu tha se kjo protestë nuk mund të cilësohet “me kauza të drejta” pasi u përdor “i njëjti skenar i vjetër” i një grupi vandalësh.
“Kjo nuk është më një protestë qytetare me kauza të drejta. Është i njëjti skenar i vjetër, i njëjti refren i konsumuar i një grupi vandalësh që i kanë mbetur peshqesh Shqipërisë, për t’u kujtuar shqiptarëve çdo ditë pse nuk duhet të kthehemi më pas te këto shembuj të shëmtuar.
Mbështetje e plotë për Policinë e Shtetit në vendosjen e rendit dhe qetësisë publike. Kushdo që tejkalon kufijtë ligjorë do të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë”, shkruan Koçiu.
Protesta e sotme para Kuvendit u shoqërua me tensione dhe incidente mes protestuesve dhe forcave të rendit. Gjatë incidenteve mbetën të lënduar edhe disa efektivë policie, ndërsa u shoqëruan disa protestues.