Grupi koordinues i protestës: Nuk dorëzohemi, do të vazhdojmë protestën paqësore derisa shqiptarët të fitojnë
Gazetari Klevin Muka këtë të enjte ka lexuar një komunikatë në emër të grupit koordinues të protestës ku ka deklaruar se protesta e sotme para Parlamentit ishte për t’u dhënë mesazhin deputetëve se nuk mund të zhvillohen seanca plenare kur qytetarët janë në rrugë.
“Në emër të grupit koordinues të protestës, jemi të detyruar që sot, në ditën e 33-të, të mbajmë këtë komunikatë sqaruese, si për ata që janë në protestë, ashtu edhe për ata që po na ndjekin nga e gjithë Shqipëria ose diaspora.
Siç kemi njoftuar edhe publikisht ditën e djeshme, sot, meqë kishte seancë plenare, kemi vendosur që të jemi përpara Parlamentit për t’u thënë deputetëve se nuk janë përfaqësuesit tanë dhe se çdo seancë parlamentare duhet të pezullohet deri në një moment të dytë, për shkak se populli është në rrugë.
Në protestën e ditës së sotme, kishim lajmëruar qytetarët që të pajiseshin me vezë dhe miell, me qëllim bërjen pis të deputetëve që nuk përfaqësojnë votuesit, por krimin e organizuar, oligarkinë dhe kryetarin e partisë”, tha ai ndër të tjera.
Ai ndër të tjera foli lidhur me dhunën e regjistruar teksa theksoi se ata nuk do të ndalen e do të dalin në protestë në mënyrë paqësore sipas tyre deri kur shqiptarët të fitojnë.
“Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, me shkopinj gome, gaz lotsjellës, pepër sprej e me radhë, duke shpërndarë qytetarët dhe duke arrestuar shumë prej tyre.
Dita e sotme na tregoi se kryeministrit Rama dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi. Ai po tenton me çdo kusht që këtë protestë, e cila ka qenë një protestë shembull për sa i përket qytetarisë, etikës, kreativitetit dhe nivelit të lartë të demokracisë, ta bëjë pis. Pikërisht në këtë moment, ne do t’i themi se kjo protestë është gjëja më e bukur që i ka ndodhur këtij vendi dhe ne do të jemi këtu derisa ti të largohesh në mënyrë paqësore dhe qytetare.
Nëse argumenti juaj është dhuna, argumenti ynë është rezistenca dhe qëndresa. Ne nuk dorëzohemi, ne nuk bëhemi si ju! Prej sot e tutje ne do të vazhdojmë protestën në mënyrë paqësore, në bulevard deri sa shqiptarët të fitojnë”, shtoi ai.