Mërtiri: Një numër i tillë protestuesish tregon nivel të lartë pakënaqësie ndaj qeverisë
Analisti Ergys Mërtiri, në emisionin “3D”, ka komentuar protestën e zhvilluar të shtunën e kaluar, duke e cilësuar si një nga tubimet më të mëdha të organizuara në vend gjatë viteve të fundit.
Sipas tij, numri i pjesëmarrësve në protestë tregon një nivel të lartë pakënaqësie ndaj qeverisë, të cilin ai e konsideron ndër më të thellët e regjistruar në 35 vitet e fundit.
“E shtuna pati një ngjeshje të madhe, si një koncert nga Presidenca deri te sheshi ‘Skënderbej’. Një numër i tillë protestuesish nuk është parë kurrë në këtë nivel në Shqipëri, që do të thotë se kemi të bëjmë me një nga nivelet më të thella të pakënaqësisë ndonjëherë ndaj një qeverie,” u shpreh Mërtiri.
Ai shtoi se qeveria aktuale përballet me një situatë politike të vështirë, duke theksuar se kundërshtari i saj politik nuk gëzon gjithashtu mbështetje të gjerë në shoqëri.
“Në këtë rast, PS garon kundrejt një force tjetër gjithashtu të padëshiruar nga shoqëria. Fakti që keni mundur atë forcë nuk do të thotë se po dëgjoni zërin e qytetarëve apo se keni shumicën reale,” tha analisti.
Mërtiri u shpreh se një pjesëmarrje e tillë në shesh është tregues i humbjes së legjitimitetit politik.
“Kur sheshi mbushet në atë nivel, kryeministri humb legjitimitetin. Nuk mund të drejtosh kur populli nuk të do,” tha ai.