Friday, 3 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Protestat e ka humbur busullën”, Mila: Qeveria rrëzohet me votë, jo me sulme ndaj deputetëve

“Protestat e ka humbur busullën”, Mila: Qeveria rrëzohet me votë, jo me sulme ndaj deputetëve

Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, foli për protestën e dhunshme para Kuvendit një ditë më parë, ku tha se deputetët janë përballur me një revoltë të disa personave, që sipas saj, nuk duhet të konsiderohen si “pjesë e protestës paqësore që zhvillohet para Kryeministrisë”.

“Deputetët janë ndeshur me një revoltë të disa njerëzve që nuk do doja t’i quaja pjesë e protestës, se të veshësh petkun e lirisë së kësaj proteste dhe të shkosh për të dhunuar fizikisht dhe verbalisht deputetët,” u shpreh ajo.

Mila shtoi se në çdo protestë mund të ketë momente tensioni, por sipas saj situata lidhet me çorientim dhe humbje të fokusit nga ana e protestuesve.

“Ka edhe këto ngjarje dhe momente kur ka revoltë pak më të madhe nga qetësia e përhershme apo sosja e durimit të disa njerëzve, por çështja është te një çorientim, një humbje e busullës” tha ajo.

Duke iu referuar kërkesave për rrëzimin e qeverisë, deputetja e PS theksoi se ndryshimi i qeverisë bëhet vetëm përmes votës.

“Çfarë po kërkohet dhe si po kërkohet? Qeveria rrëzohet me votë dhe kjo qeveri ka vetëm një vit që është mandatuar,” deklaroi Mila.

Lini një koment