Peçi: Protestat duhet të mbeten paqësore dhe të përcjellin një vizion për Shqipërinë
Gazetari Ermal Peçi u shpreh se protestat duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të fokusohen te vizioni për të ardhmen e vendit, nëse synojnë të tërheqin më shumë qytetarë.
I ftuar në emisionin “3D”, Peçi tha se përshkallëzimi i protestës nuk është zgjidhja dhe se organizatorët duhet t’u flasin qytetarëve për alternativën që ofrojnë.
“Por ajo që po shikojmë është se, nëse protesta kalon në ashpërsim, aty në sheshin përballë Kryeministrisë, ku duhet të jetë protesta kryesore, kjo nuk është gjë e mirë. Nëse duan të kenë sërish pjesëmarrje, duhet t’u flasin njerëzve për vizionin që kanë për Shqipërinë, për ëndrrën që kanë për Shqipërinë dhe se si mund ta bëjnë një vend më të mirë për Shqipërinë”, u shpreh Peçi.
Sipas gazetarit, protesta duhet të mbetet paqësore, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të fitojë mbështetje më të gjerë qytetare. Ai shtoi se qytetarët nuk binden nga tensioni, por nga një vizion i qartë për të ardhmen dhe zgjidhjet që u ofrohen problemeve të tyre.