Saturday, 4 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperia“Kabina e xhamit cënon dinjitetin e personit”, Gjykata Kushtetuese trajton edhe pretendimin e Erion Veliajt

“Kabina e xhamit cënon dinjitetin e personit”, Gjykata Kushtetuese trajton edhe pretendimin e Erion Veliajt

Në vendimin nr. 57, Gjykata Kushtetuese ka trajtuar edhe pretendimin e Erion Veliajt për mbajtjen e tij në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore.

Gjykata Kushtetuese vendosi ta kthejë këtë çështje në Gjykatën e Lartë, pasi kjo e fundit nuk i kishte dhënë përgjigje pretendimit se qëndrimi në kabinën e xhamit cenonte dinjitetin njerëzor dhe prezumimin e pafajësisë. Por në mendimet e veçanta të botuara bashkë me vendimin, dy gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari dhe Marjana Semini, janë shprehur qartë se mbajtja e Erion Veliajt në kabinën e xhamit përbënte cenim të dinjitetit të tij.

Gjyqtarja Marsida Xhaferllari thekson se rregulli është që i pandehuri merr pjesë në seancë si person i lirë, edhe kur ndodhet në paraburgim. Sipas saj, izolimi në kabinën e xhamit mund të përdoret vetëm si përjashtim, kur ka rrethana konkrete që e bëjnë të domosdoshëm, si rreziku i ikjes ose i dhunës.

Në të njëjtin mendim, gjyqtarja Xhaferllari vëren se Gjykata e Posaçme është një institucion me mekanizma të posaçëm sigurie. Ajo i referohet faktit se godinat e gjykatave të posaçme janë projektuar për të garantuar standarde të larta sigurie, me masa infrastrukturore dhe organizative të posaçme.

Sipas saj, siguria e gjykatave të posaçme garantohet nëpërmjet mekanizmave të dedikuar të organizimit, administrimit dhe mbrojtjes fizike. Për këtë arsye, nevoja për të izoluar një të pandehur në kabinën e xhamit nuk mund të prezumohet mbi bazën e kërkesave të përgjithshme të sigurisë së institucionit.

Gjyqtarja Xhaferllari thekson se kjo nevojë duhet të mbështetet në rrethana konkrete, të lidhura me sjelljen dhe rrezikshmërinë e personit në fjalë, të identifikuara dhe të arsyetuara nga gjykata në secilin rast.

Në rastin konkret, sipas saj, nuk ishte pretenduar dhe as verifikuar se Erion Veliaj paraqiste rrezik real ikjeje, dhune apo ndonjë rrezik tjetër për sigurinë e procesit gjyqësor. Për këtë arsye, ajo arrin në përfundimin se mbajtja e tij në kabinën e xhamit gjatë seancave përbënte cenim të pajustifikuar të dinjitetit.

Edhe gjyqtarja Marjana Semini i bashkohet këtij qëndrimi. Ajo shprehet se izolimi i panevojshëm dhe i pajustifikuar në kabinën e xhamit sjell uljen e dinjitetit të personit, krijon imazhin publik të një njeriu të rrezikshëm dhe ndikon në mënyrën se si ai perceptohet, ndonëse prezumohet i pafajshëm.

Pra, vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe mendimet e botuara bashkë me të e vendosin qartë çështjen: kabina e xhamit nuk mund të jetë praktikë automatike. Ajo kërkon vlerësim konkret, individual dhe të arsyetuar nga gjykata.

Tashmë, Gjykata e Lartë duhet t’i japë përgjigje këtij standardi të vendosur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Lini një koment