Saturday, 4 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaZjarri në malin e Shëngjinit, Ndreu dhe Çako: Situata nën kontroll, autori i zjarrvënies i arrestuar

Zjarri në malin e Shëngjinit, Ndreu dhe Çako: Situata nën kontroll, autori i zjarrvënies i arrestuar

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, inspektuan nga afër situatën e krijuar nga zjarri në malin e Shëngjinit, pranë lagjes “Sakë”. Ata u njohën me ecurinë e operacionit për shuarjen e flakëve dhe masat e marra nga strukturat e emergjencave civile.

Ndreu theksoi se autori i zjarrvënies është identifikuar dhe se zjarri ka ardhur si pasojë e papërgjegjshmërisë së disa personave që djegin mbeturina dhe barishte.

 “Është identifikuar autori. Mendojmë se ka bërë nga papërgjegjshmëria që tregojnë disa njerëz duke djegur mbeturina dhe duke djegur bar. Është koha që mos të kryejnë veprime të tilla. Janë shumë të rrezikshme. Koha është shumë e nxehtë dhe ne na detyrojmë pastaj të përballemi gjithë natën me flakët. Por jo vetëm të përballemi me flakët, por përballemi edhe me fluksin e paragjykimeve dhe interpretimeve jashtë kontrollit të gjithkujt që do të ekzaltohet me flakët e zjarrit. Forcat e zjarrfikëses siç e shikoni me drejtorin e përgjithshëm të Emergjencave Civile, me Perfektin, kanë qenë gjithë natën këtu dhe situata është nën kontroll. Pavarësisht nga agravimet,  situata kurrë nuk ka dalë jashtë kontrollit në Lezhë për shkak të një skeme reagimi shumë të shpejtë që ne bëjmë për ta kapur situatën që në fillim të saj dhe për mos ta lënë ta agravohet. Plus pastaj edhe ndërhyrja e menjëhershme që kanë bërë forcat e emergjenca, zjarrfikëseve, të gjithë bashkë në një koalicion të jashtëzakonshëm që ne tashmë e kemi si skemë të konsoliduar dhe besoj se nuk  përbën rast as për panik”, tha Ndreu.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, theksoi rëndësinë e zonës së Shëngjinit si një destinacion turistik dhe angazhimin maksimal të strukturave vendore e qendrore për vënien nën kontroll të flakëve.

Atëherë sikur e tha dhe kryetari jemi këtu në zonën e Shëngjinit që është një nga zonat më të rëndësishme turistike në vend ku ka filluar tashmë intensiteti i ardhjes së të gjithë turistëve që shfrytëzojnë këtë zonë. Ka qenë një natë e ngarkuar me një angazhim maksimal të gjithë strukturave operacionale vendore, të bashkisë, prefekturës, por edhe ato të nivelit qendror. Kemi vazhduar operacionin me mbështetjen e këtyre strukturave edhe nga ajri deri pak minuta më parë ku është vënë totalisht në kontroll vatra e zjarrit. Po operohet me forcat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit në terren për të eliminuar dhe vatrat e fundit”, tha ai.

Po ashtu, Çako i bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë verës, për të shmangur situata të tilla.

Duhet të jap një mesazh për të gjithë komunitetin, për të gjithë qytetarët. Tashmë kemi hyrë në zonën më të nxehtë të verës që ka të bëjë me temperaturat ekstreme që mund mos të përjashtohen për muajin korrik dhe gusht. Ndaj dhe do të bëja thirrjen që çdo zjarr sjell një pasojë të jashtëzakonshme jo vetëm për ekonominë në tërësi, por edhe për jetën dhe shëndetin e qytetarëve dhe dalja nga kontrolli sikurse i këtij zjarri të mbrëmshëm për të cilin policia ka operuar, ka vepruar, ka arrestuar autorin dhe e ka vënë në dispozicion të drejtësisë për t’u përgjigjur.

Gjej të rast të falënderoj policinë e rajonit të Shëngjinit dhe të Lezhës për këtë ndërhyrje të menjëhershme dhe identifikim të autorit dhe do duhet t’ju bëjmë të qartë që të gjithë qytetarëve se çdo papërgjegjshmëri, pa përjashtuar edhe iniciativa të tjera kriminale, do të bëhen objekt i hetimit, gjykimit dhe vënien përpara të përgjegjësisë ligjore. Kapacitetet dhe gatishmëria e emergjencave civile, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, është në nivele maksimale. Vetë qeveria ka fokusuar dhe investuar drejtpërsëdrejti konsiderueshëm buxhete pikërisht për të parandaluar zjarret, por do të na duhet patjetër bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe bashkërendimi me gjithë qytetarët dhe me strukturat vendore dhe ato lokale”, theksoi Çako.

Lini një koment