Saturday, 4 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaGJKKO dënon me mbi 111 vite burg 17 anëtarë të grupit që kultivoi kanabis në sera në Berat

GJKKO dënon me mbi 111 vite burg 17 anëtarë të grupit që kultivoi kanabis në sera në Berat

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë 17 anëtarë të një grupi kriminal të akuzuar për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit në sera në zonën e Drenovicës, Berat, duke dhënë në total 111 vite e 8 muaj burg.

Dënimet më të rënda u vendosën për dy drejtuesit e grupit, Sadetin Hasaj dhe Blerim Xhekën, të cilët u dënuan secili me nga 8 vite e 8 muaj burg për disa vepra penale, mes tyre kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal.

Pjesa tjetër e të pandehurve u dënua me masa që variojnë nga 5 vite e 4 muaj deri në 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa për Drita Memën dhe Izmire Memën gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me 4 vite burg dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për tre vjet. Të dyja u shpallën të pafajshme për akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, por u dënuan për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas dosjes së SPAK, aktiviteti kriminal kishte nisur në fund të vitit 2021 dhe ishte zhvilluar përgjatë periudhës qershor-nëntor 2022. Operacioni final u zhvillua më 10 nëntor 2022, kur autoritetet sekuestruan rreth 871 kilogramë kanabis të përpunuar, të paketuar në qindra arka plastike dhe thasë, si edhe armë zjarri e municion luftarak.

Hetimet zbuluan se kultivimi kryhej në katër sera të ngritura në zonën e Rërës, në Drenovicë të Beratit, në një sipërfaqe prej rreth 10 deri në 27 dynymësh. Grupi kishte ngritur edhe ambiente fjetjeje për punëtorët, të cilët rekrutoheshin nga qytete të ndryshme të vendit me premtimin për pagesa të larta ditore, transport falas dhe akomodim.

Në kuadër të të njëjtit operacion u identifikuan edhe 93 gra që punonin në sera. Për to, SPAK shpalli moskompetencë, ndërsa procedimi penal vijoi vetëm për organizatorët dhe personat e përfshirë në drejtimin e aktivitetit kriminal.

Lini një koment