Saturday, 4 July 2026
54°F Detroit
BallinaShqiperiaBardhi: Të hetohen pretendimet për dhunë ndaj protestuesit të ndaluar

Bardhi: Të hetohen pretendimet për dhunë ndaj protestuesit të ndaluar

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kërkoi hetim të menjëhershëm lidhur me pretendimet për ushtrim dhune ndaj një protestuesi të ndaluar nga Policia e Shtetit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi u shpreh se deklaratat e avokatit të një protestuesi janë shqetësuese dhe kërkojnë sqarim institucional.

“Nëse pretendimet e avokatit rezultojnë të vërteta, kemi të bëjmë me një akt jashtëzakonisht të rëndë. Dhuna e ushtruar ndaj një personi të ndaluar, e aq më tepër ndaj një personi me probleme shëndetësore, përbën trajtim çnjerëzor dhe ngre dyshime serioze për shkelje të rënda të ligjit dhe të të drejtave themelore të njeriut”, u shpreh Bardhi.

Ai i bëri thirrje Prokurorisë së Tiranës të nisë menjëherë verifikimet, ndërsa kërkoi edhe reagim nga Policia e Shtetit dhe Avokati i Popullit.

“Prokuroria e Tiranës ka detyrimin ligjor të nisë menjëherë verifikimet dhe të veprojë pa asnjë vonesë. Po aq e papranueshme është mungesa e reagimit nga Policia e Shtetit dhe Avokati i Popullit”, tha Bardhi.

Sipas tij, institucionet duhet të informojnë opinionin publik me transparencë mbi rrethanat e ngjarjes.

“I bëj thirrje Prokurorit të çështjes, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit që të informojnë menjëherë opinionin publik, me transparencë të plotë dhe prova të pakundërshtueshme, mbi atë që ka ndodhur. Në raste të tilla, heshtja nuk i shërben zbardhjes së së vërtetës; përkundrazi, ajo vetëm sa rrit dyshimet dhe dëmton besimin e qytetarëve te institucionet”, deklaroi Bardhi.

Lini një koment