Nis trajnimi për gjeneratën e tretë të zyrtarëve VAR/AVAR të FFK-së
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se sot ka nisur programi i ligjëratave për gjeneratën e tretë të zyrtarëve VAR/AVAR, ku gjyqtarët dhe gjyqtarët asistentë do të ndjekin një proces të avancuar trajnimi për t’u certifikuar në përdorimin e sistemit VAR.
Programi do të zhvillohet në pesë module, duke kombinuar pjesën teorike dhe atë praktike, sipas standardeve të përcaktuara nga FIFA. Në përfundim të këtij cikli, secili kandidat do t’i nënshtrohet procesit të certifikimit si VAR dhe AVAR, i cili do të realizohet gjatë ndeshjeve testuese që do të organizohen në fillim të muajit gusht, para nisjes së edicionit të ri garave.
Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të referimit, duke dëshmuar përkushtimin e saj për rritjen e cilësisë dhe integritetit të garave. Që nga implementimi i sistemit VAR pesë vite më parë, futbolli ynë ka bërë hapa të rëndësishëm në modernizimin e ndarjes së drejtësisë, ndërsa edicioni garues 2026/27 do të shënojë sezonin e gjashtë me radhë ku të gjitha ndeshjet e Albi Mall Superligës, si dhe një pjesë e ndeshjeve të Ligës së Parë, do të zhvillohen me asistencën e teknologjisë VAR.
Përgatitja e gjeneratës së tretë të zyrtarëve VAR/AVAR është një tjetër dëshmi e përkushtimit të FFK-së për të garantuar gjykim sa më profesional në fushën e gjelbër, duke investuar vazhdimisht në edukimin, zhvillimin dhe avancimin e kuadrove të referimit në përputhje me standardet më të larta evropiane.
