Shpallja non grata e Igballe Berishës, Lamallari: Nuk hezitoj të bëj të njëjtën gjë me…
Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Besfort Lamallari, në një postim të shpërndarë në rrjetet e tij sociale, është ndalur te Igballe Berisha, e cila është shpallur nga shteti si “person i padëshirueshëm” në Shqipëri.
Fillimisht, Lamallari theksoi se një masë të tillë nuk do të ngurrojë ta marrë sërish për të gjithë personat që nuk janë shtetas shqiptarë, e që përpiqen të vendosin agjenda të padëshirueshme në vendin tonë dhe kundër frymës evropiane.
“Nuk do të hezitoj të bëj të njëjtën gjë me të gjithë ata persona të tjerë të cilët nuk janë shtetas shqiptarë, por që përfshihen këtu për agjenda që nuk janë në interes të Shqipërisë. Përkundrazi, janë vetëm në dëm të rrugës evropiane të Shqipërisë, por edhe të interesit kombëtar”, tha ai.
Ligjvënësi cilësoi se protestuesit janë nën mbikëqyrjen e Antiterrorit në Shqipëri.
“Është Drejtoria Antiterror, sigurisht krahas punës së përditshme që bën, patjetër monitoron personat që marrin pjesë në protestë, sidomos ata që janë kontingjentë për veprimtarinë e tyre”, tha ai.
Lamallari sqaroi se vendimi për shpalljen “non grata” të Berishës u mor bazuar në disa deklaratave të saj në media, të cilat sipas tij përbëjnë propagandë në mbështetje të Khameneizmit. Ai theksoi se, duke qenë se Kuvendi e ka cilësuar Iranin si shtet sponsor të terrorizmit, çdo promovim i tillë bie ndesh me ligjin dhe ka pasoja ligjore.
“Kur lajmërova dhe shpalla non-grata të shtetases në fjalë, pra jo nga Shqipëria, bëra publike edhe disa prononcime të saj, të njohura përmes televizioneve të ndryshme, ku qartësisht i bëj thirrje dhe propagandë khamenizmit, i cili në fakt, duke marrë parasysh faktin që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e ka shpallur shtet sponsor të terrorizmit, rrjedhimisht çdo propagandë e tillë, çdo nxitje apo promovim i një organizate terroriste sipas ligjit përbën dhe… ka pasoja të tjera. Kështu që, padyshim ky ishte një rast konkret. Ju siguroj se nga veprimtaria e institucionit ligjzbatues dhe shërbimit ka informacione të vazhdueshme për elemente që meritojnë vëmendje të posaçme të institucioneve shqiptare dhe, siç thashë më herët, nuk do të ngurrojmë, pasi me vendimmarrje të tilla shkojmë krahas punës që bëhet për neutralizimin e tyre edhe nga agjencitë ligjzbatuese”, u shpreh ai.