Ndahet nga jeta dirigjenti dhe kompozitori Michael Tilson Thomas në moshën 81-vjeçare
Michael Tilson Thomas, një nga dirigjentët më të njohur amerikanë të pesë dekadave të fundit, i cili ka drejtuar orkestrat në Buffalo, Miami, Londër dhe San Francisco, ndërroi jetë të mërkurën në moshën 81 vjeçare.
Në vitin 2021 ai iu nënshtrua një operacioni për një tumor në tru dhe vazhdoi aktivitetin e tij artistik, por në shkurt të vitit 2025 tumori u rikthye. Ai drejtoi koncertin e tij të fundit me Simfonikën e San Franciscos në prill 2025, dhe ndëroi jetë në banesën e tij në San Francisco, sipas zëdhënëses Connie Shuman.
Gjatë karrierës së tij, Tilson Thomas mori 39 nominime për Çmimin Grammy dhe fitoi 12 prej tyre. Në vitin 2019, ai u nderua me një nga çmimet Kennedy Center Honors. Ai e përshkruante muzikën klasike si një përvojë me intrigë dhe dimensione të reja që zbulohet nëpërmjet dëgjimeve të përsëritura.
Lindur më 21 dhjetor 1944 në Los Angeles në një familje me tradita artistike, ai u rrit në një mjedis të lidhur ngushtë me teatrin dhe kinemanë. Babai i tij ishte producent në Teatrin Mercury në Nju Jork, ndërsa nëna e tij punoi për Columbia Pictures. Gjithashtu, gjyshërit e tij ishin pionierë në teatrin jidish amerikan.
Tilson Thomas filloi të luante piano qysh i ri dhe diplomoi në Universitetin e Kalifornisë Jugore në vitin 1967. Në karrierën e tij u përfshinë bashkëpunime me figura të shquara si Pierre Boulez, Aaron Copland, Igor Stravinsky dhe Karlheinz Stockhausen. Leonard Bernstein e konsideroi atë si një talent të jashtëzakonshëm në moshën e tij.
Ai ka shërbyer si drejtor muzikor dhe bashkëdrejtor i Festivalit të Ojai në Kaliforni, ndihmës drejtues në Festivalin e Bayreuth në Gjermani, dhe asistent dirigjent i Orkestrës Simfonike të Bostonit. Debutimin në Nju Jork e bëri në vitin 1969 në Lincoln Center, duke zëvendësuar dirigjentin e sëmurë gjatë koncertit.
Karriera e tij përfshin drejtimin e orkestrave të rëndësishme si Buffalo Philharmonic, Los Angeles Philharmonic, London Symphony Orchestra dhe San Francisco Symphony. Ai gjithashtu ishte themelues dhe drejtor artistik i New World Symphony në Miami deri në vitin 2021.
Kompozimet e tij përfshijnë vepra si “Grace”, “Four Preludes on Playthings of the Wind” dhe “Meditations on Rilke”.
Jeta personale e Tilson Thomas përfshinte martesën me Joshua Robison, i cili vdiq në shkurt 2025. Ata u njohën në shkollën fillore dhe u bënë partnerë në 1976, duke u martuar më 2014.
Në një deklaratë për koncertin e tij të fundit në prill 2025, ai shprehu reflektime mbi fundin e jetës së tij duke e krahasuar atë me një “koda” muzikore — një përfundim të pasur dhe domethënës të një vepre.