E mërkurë, 20 Maj 2026
54°F Detroit
BallinaMichiganSeancë virtuale që përfundon në skandal: Gruaja nga Detroit kapet duke drejtuar makinën gjatë gjyqit

Seancë virtuale që përfundon në skandal: Gruaja nga Detroit kapet duke drejtuar makinën gjatë gjyqit

Një video e bërë virale në rrjetet sociale ngre pyetje mbi seriozitetin e seancave virtuale dhe sjelljen e palëve në gjykatë

Një ngjarje e pazakontë në zonën e Metro Detroit është kthyer në një nga videot më të shpërndara në rrjetet sociale, pasi një grua u kap duke drejtuar makinën gjatë një seance gjyqësore virtuale — dhe më pas duke mohuar faktin përpara gjyqtarit.

Kimberly D. Carroll ishte planifikuar të merrte pjesë në një seancë në Gjykatën e Distriktit të 33-të në Woodhaven, përpara gjyqtarit Michael K. McNally, të mërkurën, më 25 mars. Ajo u lidh me vonesë dhe fillimisht pa aktivizuar kamerën, por sapo e ndezi, situata u bë menjëherë e qartë: ndodhej brenda një automjeti në lëvizje.

“Nuk mund të jeni duke drejtuar makinën,” i tha gjyqtari McNally. “Zonjë, çfarë po bëni?”

Megjithatë, Carroll këmbënguli se nuk ishte ajo që po drejtonte, por një pasagjere. “Nuk jam duke drejtuar. Jam pasagjere,” deklaroi ajo, duke shtuar se mund të ndalonte menjëherë.

Por gjyqtari nuk u bind nga kjo shpjegim. Nga pamja në ekran, rripi i sigurimit dukej se vinte nga ana e shoferit dhe Carroll ishte ulur në anën e majtë të automjetit — një pozicion që në Shtetet e Bashkuara i përket drejtuesit të mjetit.

“Si është e mundur që të jeni në anën e majtë dhe të jeni pasagjere?” pyeti McNally, duke kërkuar që t’i tregohej edhe personi që po drejtonte makinën për të verifikuar pretendimin.

Carroll hezitoi dhe u përgjigj se duhej të kërkonte leje nga shoferi. Kjo përgjigje vetëm sa rriti dyshimet e gjyqtarit.

“Ju e dini që po më gënjeni, apo jo?” tha McNally me ton të prerë. “Mendoni se jam kaq budalla?”

Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme nga ana e Carroll, gjyqtari kishte marrë tashmë një vendim. Në fakt, edhe para se ajo të shfaqej në ekran, ishte regjistruar një vendim në mungesë për shkak të vonesës së saj në paraqitje.

Çështja në fjalë, “LVMV Funding kundër Kimberly D. Carroll”, lidhej me një borxh prej 1,788.80 dollarësh, të cilit i shtoheshin kostot gjyqësore dhe tarifat e shërbimit, duke arritur në total 1,921.85 dollarë.

Pas sjelljes së saj gjatë seancës dhe refuzimit për të treguar shoferin e pretenduar, gjyqtari konfirmoi vendimin në mungesë, duke theksuar se sjellja e saj ishte e papranueshme.

“Ju më gënjyet,” deklaroi ai. “Vendimi është 1,921.85 dollarë. E paditura nuk ishte e pranishme në kohë dhe më pas po drejtonte makinën duke i thënë gjykatës se nuk ishte.”

Carroll kundërshtoi, duke pretenduar se ishte lidhur në orën 1:30 pasdite, por gjyqtari nuk tregoi tolerancë ndaj qëndrimit të saj.

“Ke një qëndrim problematik,” i tha ai. “Nuk do të merrem me këtë lloj sjelljeje. Të uroj fat.”

Shkëmbimi i tensionuar u regjistrua dhe u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të shumta nga publiku. Disa e panë ngjarjen si një shembull të mungesës së respektit ndaj institucioneve, ndërsa të tjerë komentuan stilin e drejtpërdrejtë dhe të ashpër të gjyqtarit.

Rasti ka hapur një debat më të gjerë mbi përdorimin e seancave virtuale në sistemin gjyqësor dhe sfidat që ato sjellin, sidomos në lidhje me seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e pjesëmarrësve.

Lini një koment