Laporta i dërgon mesazh Atletico Madridit për Julián Álvarez: “Nuk do të kërcejmë sipas muzikës së askujt”
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, foli nga Dallasi për interesimin ndaj sulmuesit të Atlético Madridit, Julián Álvarez, duke bërë të qartë se klubi katalanas nuk do të presë pafundësisht.
“Nuk do të kërcejmë sipas muzikës së askujt. Ritmin e vendosim ne. Kemi bërë një ofertë, por ajo nuk është pa afat dhe nuk do të mbetet përgjithmonë në fuqi. Do të shohim deri kur do të jetë e vlefshme. Kemi bërë atë që na kërkuan trajneri dhe drejtoria sportive. Na pëlqen shumë dhe është një lojtar i jashtëzakonshëm”, – deklaroi Laporta.
Ai sqaroi se marrëdhëniet me Atlético Madridin mbeten shumë të mira dhe se nuk ka pasur presion shtesë nga Barcelona: “Pati vetëm një keqkuptim për ofertën, të cilin e sqarova. Që atëherë nuk ka pasur zhvillime të tjera”.
Laporta ndodhet në Dallas për të mbështetur futbollistët e Barcelonës me kombëtaren e Spanjës. Ai vlerësoi Lamine Yamal, Pedri, Dani Olmo dhe Pau Cubarsí, ndërsa u shpreh se i vjen keq për Jules Koundé, i cili luan me Francën.
Për Raphinha, presidenti konfirmoi se braziliani do të qëndrojë te Barcelona, duke e cilësuar një lojtar kyç për ekipin. Për të ardhmen e Ferran Torres, ai zgjodhi të mos komentojë.